Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u paraqit këtë ditë në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikuan zyrtarisht akuzat.
Balluku është marrë e pandehur për “korrupsion”, “pastrim parash”, “shkelje të barazisë në tendera” në 9 raste dhe fshehje pasurie.
Burime për Report Tv bëjnë të ditur se në ambientet e jashtme të SPAK është vërejtur një prani e madhe policie. Balluku u paraqit në SPAK së bashku me avokatin e saj, Ardian Kalia, dhe qëndruan në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për rreth 30 minuta.
“Jemi në fazë hetimesh, do të ketë edhe një zgjatje”, mësohet të ketë thënë avokati i Ballukut gjatë paraqitjes në SPAK, duke lënë të kuptohet se Prokuroria e Posaçme ka zgjatur hetimet ndaj Ballukut.
Gjithashtu në SPAK u paraqit edhe biznesmeni Pandeli Carapuli, bashkë me avokatin e tij, të cilit iu komunikua akuza për “pastrim parash”.
Carapuli dyshohet se i dha ish-zëvendëskryeministres ryshfet një vilë luksoze në fshatin Gjilekë, Dhërmi, pasi Belinda Balluku e favorizoi në tenderin 1 milionë eurosh kur ishte drejtoreshë e Albcontrol. Për fshehjen e vilës Balluku përdori ish-futbollistin Igli Tare, i cili po ashtu është marrë person në hetim.
Më herët Balluku është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera te Unaza e Madhe dhe Tuneli i Llogarasë. Po ashtu Balluku po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
SPAK i sekuestroi Ballukut 2 vila, një në Dhërmi dhe një në Palasë, të cilat dyshohet se ishin fshehur nën emrin e ish-futbollistit të Kombëtares, Igli Tare.
Vilën në Palasë, e cila ishte një vilë super-luksoze, sipas hetimeve të SPAK, Balluku e kishte marrë në formë ryshfeti për dhënien e tenderave, në kohën kur drejtonte Autoritetin Civil.
Lajm në përditësim…
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Burimi: shqiptarja.com










