Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Ekonomi

Kosova aplikon për t’u bashkuar me sistemin evropian të pagesave

Kosova aplikon për t’u bashkuar me sistemin evropian të pagesave
Foto: ata.gov.al

PRISHTINË, 7 nëntor /ATSH/ Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka dorëzuar aplikimin e Kosovës për përfshirje në SEPA, një hap i rëndësishëm drejt integrimit në sistemin evropian të pagesave

BQK ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e Kosovës për përfshirje në hapësirën gjeografike të Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (Single Euro Payments Area, SEPA). Ky hap shënon një etapë të rëndësishme në procesin e integrimit financiar dhe ekonomik të vendit me Bashkimin Evropian.

Dorëzimi i aplikimit është një nga objektivat institucionale të Planit Strategjik 2024-2028 të BQK-së dhe rezulton nga punë e vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Kjo punë ka përfshirë përafrimin e kornizës ligjore dhe rregullative me standardet e Bashkimit Evropian, modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Përfshirja e Kosovës në SEPA do të mundësonte realizimin e pagesave ndërkufitare në euro në mënyrë më efikase, me kosto më të ulët dhe me kushte më të favorshme për qytetarët dhe bizneset. Kjo ka rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh lidhjet e saj ekonomike dhe financiare me vendet evropiane, vëllimin e remitancave dhe nevojën për lehtësimin e transaksioneve ndërkufitare.

Reformat ligjore, rregullative dhe institucionale

Për përgatitjen e aplikimit, BQK-ja ka udhëhequr një proces gjithëpërfshirës reformash, në bashkëpunim me institucionet vendore përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë. Janë avancuar dhe përfunduar hapa të rëndësishëm për përafrimin e legjislacionit me kërkesat evropiane, përfshirë Ligjin për Shërbimet e Pagesave, Ligjin për Bankat dhe ndryshimet në legjislacionin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (AML/CFT).

Pas miratimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe përfundimit të procedurave ligjore, legjislacioni i nevojshëm është plotësuar me aktet rregullative të miratuara dhe të publikuara nga BQK-ja, duke avancuar përputhshmërinë e kornizës vendore me kërkesat për aplikim në SEPA.

Një etapë e rëndësishme ishte dorëzimi i paraaplikimit në tetor 2024, i cili mundësoi fillimin e konsultimeve dhe vlerësimeve paraprake me institucionet përkatëse evropiane. Që atëherë, BQK-ja ka vazhduar punën për adresimin e kërkesave, përgatitjen e dokumentacionit dhe përmbushjen e kushteve ligjore, rregullative dhe teknike.

Pavarësisht vonesave në proceset legjislative dhe shqyrtimit kushtetues të ligjeve përkatëse, përgatitjet e BQK-së kanë vazhduar, në koordinim me institucionet përgjegjëse, deri në finalizimin e hapave të nevojshëm për dorëzimin e aplikimit.

Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mbështetja ndërkombëtare

Ky zhvillim pasqyron angazhimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional të BQK-së me Kuvendin e Republikës së Kosovës, Qeverinë, Ministrinë e Financave dhe institucionet e tjera përgjegjëse, në përputhje me kompetencat e secilës palë, për avancimin e reformave të nevojshme për integrimin financiar evropian.

BQK-ja shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e institucioneve vendore, si dhe për kontributin e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të Bankës Botërore, për asistencën teknike në modernizimin e sistemit të pagesave dhe zhvillimin e kornizës ligjore dhe rregullative.

BQK-ja vlerëson gjithashtu bashkëpunimin dhe dialogun me Komisionin Evropian dhe institucionet përkatëse evropiane, si dhe mbështetjen e partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në avancimin e reformave dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

Procesi pas dorëzimit të aplikimit

Dorëzimi i aplikimit shënon fillimin e fazës së shqyrtimit dhe vlerësimit nga organet përkatëse evropiane, por nuk nënkupton pranimin automatik të Kosovës në SEPA.

Aplikimi do t’i nënshtrohet procedurave të vlerësimit të përputhshmërisë së kornizës ligjore dhe rregullative me kërkesat për përfshirje në hapësirën gjeografike të SEPA-s. Pas një vendimi pozitiv, do të vijojnë procedurat për pjesëmarrjen e institucioneve financiare të Kosovës në skemat përkatëse të pagesave.

BQK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet evropiane, bankat komerciale dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve të pagesave për përgatitjet teknike dhe operacionale që kërkohen për integrimin e plotë në skemat SEPA.

Dorëzimi i aplikimit për SEPA përfaqëson një rezultat konkret të reformave të ndërmarra dhe një hap të rëndësishëm drejt integrimit financiar evropian, në funksion të zhvillimit ekonomik, konkurrueshmërisë dhe përfitimeve afatgjata për qytetarët dhe bizneset e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e BQK-së. /KosovaPress/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha