Julvin Marku synon të krijojë një zonë ku kultivimi i lajthive të shtrihet edhe tek fermerët e tjerë, përtej parcelës së tij në Fushë-Krujë.
Me tetë vjet përvojë në këtë fushë, ai dëshiron të ndajë njohuritë e grumbulluara dhe të inkurajojë banorët e zonës që të investojnë në rritjen e lajthive. Për këtë arsye, ai shprehet i gatshëm t’u ofrojë falas fidanë atyre që duan të nisin këtë aktivitet.
Kjo nismë vjen pas një rrugëtimi të shoqëruar me sfida, duke filluar nga gabimet e para gjatë mbjelljes e deri te dëmtimet e prodhimit dhe pasojat e thatësirës.
“Do të ofroja vetë që banorët e tjerë, kushdo që dëshiron, të vijë të marrë fidanë falas këtu, që të ndërtojmë fshatin e lajthive”, thotë Julvin Marku në emisionin “Toka Jonë” në ABC News.
Sipas tij, përhapja e kësaj kulture do të përbënte një mundësi për të nxitur zhvillimin e bujqësisë në zonë dhe për të treguar se edhe të rinjtë e arsimuar mund të ndërtojnë një aktivitet ekonomik duke u marrë me tokën.
Megjithatë, ai thekson se një nga pengesat kryesore vazhdon të jetë vaditja. Sipas tij, funksionimi i kanaleve vaditëse do t’i ndihmonte fermerët të përballonin periudhat e thata dhe të siguronin prodhim më të qëndrueshëm.
“Vaditja është problemi më i madh. Do të ishte mirë nëse kanalet vaditëse do të ishin funksionale. Verës nuk kemi ujë, ndërsa dimrit kemi përmbytje. Do të ishte mirë nëse institucionet do të na jepnin një dorë”, thotë ai.
Përveç bujqësisë, Julvini vazhdon të punojë edhe në fushën e informatikës, duke u përpjekur të mbajë të dy profesionet. Por dëshira e tij është që aktiviteti me lajthi të zgjerohet dhe të kthehet në një mundësi edhe për brezin e ri.
Ai shpreson që edhe djali i tij, Aleksandri, të vijojë një ditë këtë aktivitet familjar dhe ta çojë më tej.
Nga një ide e lindur gjatë viteve të universitetit, deri te synimi për të krijuar një “fshat të lajthive”, Julvin Marku kërkon që përvoja e tij të shërbejë si nxitje për të tjerët që t’i kthejnë sytë nga toka.
Burimi: abcnews.al










