Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Fermeri rrëfen sfidat e kultivimit të lajthisë: kostot, vështirësitë dhe ndikimi i thatësirës në rendiment

Fermeri rrëfen sfidat e kultivimit të lajthisë: kostot, vështirësitë dhe ndikimi i thatësirës në rendiment

Rritja e lajthisë kërkon një investim fillestar, punë të pandërprerë dhe njohuri për të parandaluar dëmtimet që mund të zvogëlojnë prodhimin. Për Julvin Markun, fermerin nga Fushë-Kruja, tetë vitet e përvojës në këtë fushë kanë ofruar mësime të vlefshme, si dhe sfida që lidhen me kushtet e motit dhe dëmtuesit.

Në emisionin “Toka Jonë” në ABC News, Julvini shpjegon se nisja e një plantacioni me lajthi kërkon një investim që, sipas llogaritjeve të tij, arrin rreth 5 milionë lekë për hektar, në varësi të kostove të përfshira.

Përvoja e vitit të parë ishte një nga mësimet më të vështira. Mbjellja në një kohë të papërshtatshme dhe mungesa e informacionit të duhur çuan në kalbjen e fidanëve. Më pas, dëme në prodhim shkaktuan edhe brejtësit.

Një nga periudhat më intensive të punës është vjelja, kur nevojitet më shumë fuqi punëtore për mbledhjen e lajthive, pastrimin e barërave të këqija dhe mbrojtjen e bimëve nga dëmtuesit. Për Julvinin, ky është një aktivitet familjar, ku përfshihen edhe anëtarët e tjerë të familjes.

Edhe këtë vit, prodhimi është ndikuar nga kushtet atmosferike. Sipas fermerit, thatësira ka ulur rendimentin, duke bërë që sasia e prodhuar të jetë më e vogël nga sa pritej.

“Ky vit nuk ka qenë ndër vitet më të mira të prodhimit, për shkak të thatësirës. Rreth dy kuintalë. Nëse do të kishte reshje, do të ishte më shumë”, shprehet Julvin Marku.

Prodhimin e tij ai e shet në tregun vendas. Sipas fermerit, çmimi i shitjes i mundëson të mbulojë shpenzimet dhe të sigurojë fitim, pavarësisht rendimentit më të ulët të këtij viti.

Një tjetër problem që ai ngre është mungesa e ujit për vaditje dhe mosfunksionimi i kanaleve vaditëse. Julvini thotë se gjatë verës, kur bimët kanë më shumë nevojë për ujë, furnizimi mbetet problematik, ndërsa në dimër zona përballet me përmbytje.

Për fermerin nga Fushë-Kruja, përmirësimi i infrastrukturës vaditëse do të ishte një ndihmë e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit.

Më shumë informacion, përvojë dhe mbështetje për fermerët mbeten elementë të rëndësishëm për këdo që dëshiron të investojë në këtë kulturë bujqësore.

Burimi: abcnews.al

Të fundit Të gjitha