Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Krijohet regjistri elektronik për koncesionet dhe partneritetet publike-private, aksesi do të jetë online

Krijohet regjistri elektronik për koncesionet dhe partneritetet publike-private, aksesi do të jetë online

Konçesionet e Partneriteteve Publike Private do të regjistrohen tashmë në një regjistër të veçantë elektronik. Ky regjistër do të përmbajë të dhëna mbi institucionin që lidh kontratën, objektin dhe kohëzgjatjen e kontratës, vlerën e investimit dhe të kontratës, tarifat për përdoruesit, garancitë, dokumentacionin e tenderit, ndryshimet kontraktuale, nënkontraktimin dhe përfundimin e kontratës. Dokumentacioni dorëzohet nga autoriteti kontraktues brenda 15 ditëve nga nënshkrimi. Në rastet kur kontrata ka hyrë në fuqi dhe kërkohet ndryshe, afati për pasqyrimin e saj është 15 ditë. Megjithatë, jo çdo dokument do të jetë i aksesueshëm për publikun, pasi informacionet konfidenciale nuk do të publikohen. Regjistri do të administrohet nga Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) do të merret me zhvillimin teknik dhe sigurinë e tij.

V E N D I M PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR PËRMBAJTJEN DHE FORMËN E REGJISTRIT ELEKTRONIK TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 3, të nenit 17, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Ngritjen, funksionimin, administrimin dhe mirëmbajtjen e Regjistrit Elektronik të Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private (REKP) dhe publikimin e tij në faqen zyrtare të internetit të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat si institucioni përgjegjës për koncesionet dhe partneritetet publike private (këtu e në vijim “Institucioni”), në adresën zyrtare elektronike të institucionit.

2. Regjistri Elektronik i Koncesioneve/Partneriteteve Publike Private (REKP) do të administrohet nga institucioni.

3. REKP-ja përfshin:

a) si të dhëna parësore, të gjitha të dhënat e mbledhura nga institucioni, si më poshtë vijon:

i. Të dhëna që lidhen me autoritetin/entin kontraktues;

ii. Të dhëna që lidhen me objektin e kontratës së koncesionit/PPP-së;

iii. Llojin e kontratës;

iv. Vendndodhjen;

v. Kohëzgjatjen e kontratës;

vi. Vlerën e investimit;

vii. Vlerën e kontratës;

viii. Çmimin e shërbimit për përfituesit fundorë, kur është i zbatueshëm;

ix. Tarifën e koncesionit, paguar autoritetit/entit kontraktues, nëse ka;

x. Tekstin e plotë të kontratës, së bashku me shtojcat dhe anekset, për pjesët që lejohen të publikohen sipas pikës 5 të këtij vendimi;

xi. Garancinë e ekzekutimit të kontratës;

xii. Studimin e fizibilitetit, për pjesët e tij që lejohen të publikohen sipas pikës 5 të këtij vendimi;

xiii.Dokumentacionin e tenderit ose, kur ky dokumentacion është i publikuar në një sistem tjetër elektronik shtetëror, referencën elektronike që mundëson aksesin në të;

xiv.Çdo ndryshim në kontratë;

xv. Transferimin e kontratës;

xvi.Të dhënat dhe dokumentacionin mbi nënkontraktimin që, sipas ligjit nr.88/2025, dokumenteve të tenderit ose kontratës, i paraqiten ose miratohen nga autoriteti/enti kontraktues;

xvii.Përfundimin e kontratës;

xviii.Të dhënat dhe dokumentacionin mbi të drejtat pronësore që lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e kontratës dhe administrohen nga autoriteti/enti kontraktues;

xix.Raportin vjetor dhe raportin përfundimtar të parashikuar në pikën 5 të nenit 60, të ligjit nr.88/2025, ‘Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.

b) si të dhëna dytësore, të dhëna identifikuese të regjistrimit dhe të statusit juridik të koncesionarit/partnerit privat, të cilat sigurohen nëpërmjet ndërveprimit të REKP-së me regjistrat përkatës të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB). Fushat konkrete të të dhënave dhe modalitetet teknike të ndërveprimit përcaktohen në specifikimet teknike përkatëse.

4. Ofruesit e informacionit janë të gjitha autoritetet kontraktuese/entet kontraktuese, në kuptim të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.

4.1. Autoritetet/entet kontraktuese janë përgjegjëse për saktësinë, plotësinë dhe përditësimin në kohë të të dhënave dhe dokumentacionit që i paraqesin institucionit për regjistrim dhe publikim në REKP.

4.2. Për të dhënat që disponohen në regjistra ose sisteme të tjera shtetërore dhe që mund të sigurohen nëpërmjet ndërveprimit, institucioni i siguron ato drejtpërdrejt, pa ua kërkuar autoriteteve/enteve kontraktuese. Kur të dhëna të caktuara të pikës 3 të këtij vendimi mund të nxirren dhe të strukturohen nga dokumentacioni i paraqitur nga autoriteti/enti kontraktues, institucioni kryen strukturimin e tyre për qëllime të regjistrimit në REKP, pa kërkuar paraqitjen e të njëjtit informacion në një formë të veçantë raportimi.

5. REKP-ja është publike, e aksesueshme dhe pa pagesë, nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të institucionit, për autoritetet/entet kontraktuese, partnerët privatë dhe për çdo person të interesuar. Qasja në të dhënat dhe dokumentacionin e publikuar në REKP bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit, mbrojtjen e të dhënave personale dhe informacionin e klasifikuar. Nuk publikohen të dhënat ose dokumentet që, sipas nenit 18 të ligjit nr.88/2025 dhe legjislacionit tjetër në fuqi, trajtohen si konfidenciale ose publikimi i të cilave kufizohet me ligj.

6. Institucioni merr masat e nevojshme për publikimin në REKP të të dhënave dhe dokumentacionit që, sipas pikës 5 të këtij vendimi dhe legjislacionit në fuqi, lejohet të publikohen.

7. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) merr masat e nevojshme për zhvillimin, mirëmbajtjen teknike dhe sigurinë e REKP-së dhe të të dhënave të përmbajtura në të, në përputhje me legjislacionin në fuqi për qeverisjen elektronike.

8. Autoritetet/entet kontraktuese janë të detyruara t’i paraqesin institucionit, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga data e nënshkrimit të kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, të dhënat dhe dokumentacionin e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 3, të këtij vendimi, që lidhen me procedurën e dhënies dhe kontratën e lidhur dhe që janë të disponueshme deri në momentin e nënshkrimit të saj. Dokumentacioni duhet të shoqërohet nga një përmbledhje e të dhënave kryesore, në përputhje me formatin që do të shfaqet në faqen zyrtare të internetit, të përmendur në pikën 1 të këtij vendimi.

9. Autoritetet/entet kontraktuese i paraqesin institucionit një kopje të çdo ndryshimi të kontratës së koncesionit/partneritetit publik privat, së bashku me shtojcat dhe anekset përkatëse, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga data e hyrjes së tij në fuqi. Kur ndryshimi nuk parashikon një datë të veçantë të hyrjes në fuqi, afati llogaritet nga data e nënshkrimit të tij.

10. Për kontratat e koncesionit/partneritetit publik privat, të lidhura përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, autoritetet/entet kontraktuese nuk kanë detyrim të ridorëzojnë të dhënat dhe dokumentacionin që disponohen nga institucioni ose që transferohen dhe integrohen në REKP, sipas pikës 15, të këtij vendimi. Pas transferimit dhe verifikimit të të dhënave ekzistuese, kur institucioni konstaton mungesë dokumentacioni, informacioni ose nevojën për përditësimin e tyre për një kontratë konkrete, i kërkon autoritetit/entit kontraktues përkatës plotësimin ose përditësimin e tyre. Autoriteti/enti kontraktues i paraqet të dhënat ose dokumentacionin e kërkuar brenda 30 (tridhjetë) ditëve punë nga marrja e kërkesës.

11.Institucioni, brenda 10 (dhjetë) ditëve punë nga marrja e dokumentacionit, verifikon përputhshmërinë formale të tij me kërkesat e këtij vendimi. Në rast se konstatohen mangësi ose pasaktësi, njofton autoritetin/entin kontraktor për plotësimin ose korrigjimin e tyre brenda 10 (dhjetë) ditëve punë. Pas verifikimit të dokumentacionit të plotë, institucioni regjistron dhe publikon të dhënat përkatëse në Regjistrin Elektronik të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike Private, brenda 5 (pesë) ditëve punë. Verifikimi formal i kryer nga institucioni nuk cenon përgjegjësinë e autoritetit/entit kontraktues, sipas pikës 4.1, të këtij vendimi.

12.Sistemi gjeneron raporte periodike dhe ofron informacione që mbështesin detyrimet e raportimit nga përdoruesit e autorizuar, sipas roleve të përcaktuara në këtë vendim.

13.Përdoruesve u ofrohen kredenciale individuale nga institucioni dhe qasja e tyre është e kufizuar sipas roleve.

14.Sistemi funksionon në role të tilla si administratori i sistemit, administratori lokal, auditori, stafi institucional dhe koncesionari/partneri privat.

15.Të dhënat, dokumentacioni dhe regjistrimet e deritanishme të gjeneruara në zbatim të vendimit nr.211, datë 16.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e regjistrit elektronik të koncesionit/partneritetit publik privat”, transferohen dhe integrohen plotësisht në Regjistrin Elektronik të Koncesioneve dhe Partneriteteve Publike Private (REKP), të krijuar në bazë të këtij vendimi.

16. Shpenzimet për zhvillimin dhe mirëmbajtjen teknike të REKP-së përballohen nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe planifikimin buxhetor përkatës. Shpenzimet, që lidhen me administrimin funksional të REKP-së, përballohen nga buxheti i institucionit.

17.Vendimi nr.211, datë 16.3.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e regjistrit elektronik të koncesionit/partneritetit publik privat”, shfuqizohet me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

18. Ngarkohen autoritetet/entet kontraktuese, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe institucioni me zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

ALBANA KOÇIU

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha