Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Investimet në rrezik, Dhoma Amerikane e Tregtisë bën apel për mbrojtjen e pronës

Investimet në rrezik, Dhoma Amerikane e Tregtisë bën apel për mbrojtjen e pronës

Siguria e ndërmarrjeve dhe e vendeve të punës është rrezikuar nga protestat e ditëve të fundit. Në një deklaratë për situatën në vend, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri vëren se pasiguria dhe paqëndrueshmëria e zgjatur mund të kërcënojnë ekzistencën e bizneseve dhe të dëmtojnë besimin e investitorëve.

Dëmtimet dhe mbrojtja e bizneseve

“Sipas raportimeve që na janë përcjellë, shumë biznese janë përballur me dëmtime dhe ndërprerje të aktivitetit, ndërsa kanë shprehur ndjesinë se kanë mbetur pa mbrojtjen e nevojshme nga institucionet përgjegjëse”, theksohet në deklaratë.

Dhoma thekson se pas çdo biznesi qëndrojnë punonjës dhe familje, të ardhurat e të cilëve varen nga vijimësia e punës. Sipas saj, pasiguria për mbrojtjen e njerëzve dhe pronës mund të ndikojë edhe në vendimet për investime në Shqipëri.

Rekomandimet e Dhomës Amerikane

Dhoma Amerikane thekson se prej vitesh i dërgon rekomandime institucioneve për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

“Prej vitesh, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive me institucionet publike, duke paraqitur rekomandime dhe propozuar ndryshime në projektligje, akte nënligjore dhe masa të tjera rregullatore që ndikojnë në komunitetin e biznesit. Pavarësisht këtyre përpjekjeve të vazhdueshme, shumë prej shqetësimeve dhe rekomandimeve të anëtarëve tanë nuk kanë marrë vëmendjen dhe konsideratën e duhur. Konsultimi efektiv me komunitetin e biznesit është thelbësor për hartimin e politikave të qëndrueshme, forcimin e besimit te institucionet dhe krijimin e një klime investimesh të parashikueshme dhe konkurruese”, thuhet në deklaratë.

Dhoma Amerikane u kërkon Qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse veprime të menjëhershme e të koordinuara për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjen e pronës. Njëkohësisht, u bën thirrje të gjithë aktorëve të refuzojnë dhunën dhe të angazhohen në një dialog kuptimplotë, përmes të cilit shqetësimet legjitime të adresohen me mekanizma demokratikë.

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha