Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Mbi 130 biznese fason me detyrime tatimore të pashlyera, ProEksport Albania kërkon ndërhyrje për të shmangur rrezikun ndaj eksporteve, kontratave dhe vendeve të punës

Mbi 130 biznese fason me detyrime tatimore të pashlyera, ProEksport Albania kërkon ndërhyrje për të shmangur rrezikun ndaj eksporteve, kontratave dhe vendeve të punës

Më shumë se 130 ndërmarrje të sektorit të fasonit në Shqipëri po përballen me ndalimin e mallrave në doganë si pasojë e detyrimeve tatimore të pashlyera. Shoqata ProEksport Albania ka paraqitur shqetësimin e saj pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, duke kërkuar rishikimin e këtij vendimi, i cili sipas saj rrezikon të paralizojë veprimtarinë e ndërmarrjeve prodhuese dhe eksportuese.

Kërkesa e ProEksport Albania për bazën ligjore

Në një njoftim për mediat, shoqata thekson se praktika e ndalimit të përgjithshëm të aktivitetit doganor nuk ka një bazë ligjore të qartë dhe ngre dyshime për përputhshmërinë me standardet europiane.

“Kjo praktikë nuk ka një bazë ligjore të qartë për bllokimin e përgjithshëm të aktivitetit doganor dhe ngre shqetësime për përputhshmërinë me parimet e acquis të Bashkimit Europian”, thuhet në komunikatë.

Situata është veçanërisht alarmante për industrinë e veshjeve dhe të këpucëve, pasi lëndët e para dhe produktet e përpunuara shpesh janë pronë e klientëve të huaj dhe jo e bizneseve shqiptare që kryejnë përpunimin e tyre.

“Bllokimi i tyre mund të cenojë të drejtat e pronësisë, të ndërpresë prodhimin, të rrezikojë kontratat ndërkombëtare dhe vendet e punës”, paralajmëron ProEksport Albania.

Shoqata sqaron se nuk është kundër shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit, por kundërshton masat që bllokojnë aktivitetin e bizneseve dhe prekin edhe kompani të huaja që nuk kanë detyrime tatimore në Shqipëri.

“ProEksport Albania nuk kundërshton mbledhjen e detyrimeve tatimore, por masat shtrënguese që paralizojnë aktivitetin eksportues dhe dëmtojnë edhe palë të treta që nuk kanë detyrime ndaj shtetit shqiptar”, theksohet në reagim.

Kërkesa për ndërhyrje institucionale

Përmes një shkrese të datës 7 tetor 2026, shoqata ka kërkuar sqarimin e bazës ligjore të kësaj praktike, rishikimin e saj dhe mbrojtjen e aktivitetit të ndërmarrjeve që respektojnë marrëveshjet për pagesën me këste.

“Një masë për mbledhjen e detyrimeve tatimore nuk duhet të shkatërrojë burimin e të ardhurave nga i cili këto detyrime mund të shlyhen”, thuhet në komunikatën e firmosur nga kryetari i shoqatës, Edvin Prençe.

ProEksport Albania kërkon ndërhyrje institucionale dhe një zgjidhje të menjëhershme që të garantojë mbledhjen e detyrimeve tatimore, pa cenuar pronësinë e klientëve të huaj, prodhimin, eksportet dhe vendet e punës.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha