Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Ekonomi

Bursat evropiane në rënie për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe trazirave sociale në Francë

Bursat evropiane në rënie për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe trazirave sociale në Francë

FRANKFURT, 20 tetor /ATSH-DPA/ – Tregjet kryesore të aksioneve në Evropë përfunduan sesionin e sotëm me rënie, të ndikuara nga shqetësimet për tensionet sociale në Francë dhe Itali, situata e tensionuar në Lindjen e Mesme si dhe çmimet e larta të naftës.

Ndikim në tregje patën gjithashtu pasiguria lidhur me vlerësimet e larta të aksioneve të sektorit të inteligjencës artificiale dhe përshpejtimi i inflacionit të çmimeve të prodhimit në Gjermani.

Indeksi pan-evropian “Stoxx” 600 regjistroi një rënie prej 0,14%, ndërsa FTSE 100 i Londrës pësoi një ulje prej 0,29%.

“DAX”-i gjerman u zvogëlua me 0,06%, kurse “CAC 40” i Parisit shënoi një rënie prej 0,38%.

Në të kundërt, indeksi zviceran SMI shënoi një rritje prej 0,76%.

Tregjet e tjera evropiane paraqitën rezultate të ndryshme, me disa indekse që u mbyllën me rritje.

Çmimet e naftës pësuan luhatje të konsiderueshme gjatë ditës.

Nafta “Brent” arriti deri në 111,99 dollarë për fuçi, përpara se të binte në 105,95 dollarë dhe më pas të rikuperohej në rreth 107 dollarë.

Ulja e çmimeve të naftës dhe rënia e lehtë e rendimenteve të obligacioneve kontribuan në një rikuperim të pjesshëm të bursave gjatë pasdites, por nuk ishin të mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin përfundimtar të shumicës së indekseve.

Në tregun gjerman, aksionet e Qiagen u rritën me afërsisht 4%, ndërsa E.ON fitoi rreth 2,9%.

Fitore shënuan edhe “Mercedes-Benz”, “Allianz” dhe “BMW”.

Në Francë, “Sanofi” u rrit me 3,7%, ndërsa “Accor” fitoi afërsisht 3%.

Në të kundërt, aksionet e “Schneider Electric” ranë me 3,3%, ndërsa “Legrand” humbi 3%. Në Londër, aksionet e “Bunzl” ranë me afërsisht 3%, pavarësisht rritjes së të ardhurave tremujore dhe konfirmimit të parashikimit vjetor.

Shqetësimet ekonomike u shtuan nga të dhënat mbi inflacionin në Gjermani.

Sipas zyrës federale të statistikave “Destatis”, çmimet e prodhimit u rritën me 6,7% në shtator krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, nga 4,6% në gusht.

Ky ishte ritmi më i shpejtë i rritjes që nga marsi 2023.

Në bazë mujore, çmimet u rritën me 1,9%, duke tejkaluar parashikimet e tregut prej 0,8%.

Ndërkohë, suficiti i llogarisë korrente të eurozonës ra në 7,7 miliardë euro në gusht, nga 18,1 miliardë euro një vit më parë, sipas Bankës Qendrore Europiane.

Në Britaninë e Madhe, norma e papunësisë zbriti në 4,7% për periudhën qershor-gusht, nga 4,9% më parë.

Megjithatë, rritja vjetore e pagave mesatare, përfshirë bonuset, u ngadalësua në 3,7%, duke reflektuar një ecuri të përzier të ekonomisë britanike./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha