Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Bota

Otava – Alberta refuzon shkëputjen nga Kanadaja, Carney: Zgjodhët unitetin

Otava – Alberta refuzon shkëputjen nga Kanadaja, Carney: Zgjodhët unitetin

OTAVA, 20 tetor /ATSH-DPA/ – Sipas rezultateve fillestare të votimit, zgjedhësit në provincën kanadeze të Albertës kanë refuzuar me një shumicë të gjerë nismën për t’u shkëputur nga Kanadaja.

Më shumë se 76% e votuesve nuk e mbështetën shkëputjen e Albertës nga Kanadaja, sipas raportimeve të transmetuesve CBC dhe “CTV News”.

“Banorët e Albertës bënë një zgjedhje të qartë. Ata zgjodhën unitetin, ndërtimin e së ardhmes së përbashkët dhe kujdesin për njëri-tjetrin”, u shpreh kryeministri kanadez Mark Carney. “Mbi të gjitha, banorët e Albertës zgjodhën Kanadanë”, shtoi ai.

“Ndërkohë që numërimi i votave për të gjitha çështjet vijon, rezultatet e sotme për çështjen kryesore, atë të shkëputjes, tregojnë se banorët e Albertës dhe të gjithë kanadezët do të ecin përpara së bashku, me një qëllim të ripërtërirë dhe ambicie më të mëdha”, vijoi ai.

Banorët e Albertës morën pjesë dje në një referendum, ku u pyetën nëse provinca duhet të ndjekë procedurat për të organizuar një referendum të dytë, ligjërisht të detyrueshëm, për shkëputjen nga Kanadaja.

Ata iu përgjigjën gjithashtu nëntë pyetjeve të tjera, që lidheshin me emigracionin dhe çështjet kushtetuese.

Alberta, e cila ndodhet në pjesën perëndimore të Kanadasë, është një nga provincat më konservatore të vendit.

Shumë mbështetës të pavarësisë argumentojnë se Alberta jep një kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të Kanadasë, por se qeveria federale në Otavë nuk i jep asaj peshën e duhur në vendimmarrjen politike.

Me rreth 5 milionë banorë, Alberta është një nga provincat më të pasura të Kanadasë dhe qendra e industrisë së naftës dhe gazit natyror.

Ajo zotëron rezerva të mëdha rëre bituminoze, një lëndë që përpunohet për të nxjerrë naftë. //a.i/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha