ATHINË, 23 tetor /ATSH-ANA-AFP/ – Parlamenti grek miratoi sot ligjin që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën 15 vjeç, duke filluar nga 1 janari 2027.
Kjo masë ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve nga përdorimi i tepruar i këtyre platformave.
Ligji u miratua pas një debati të ashpër, me votat e shumicës qeverisëse të partisë së djathtë “Demokracia e Re”, të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Deputetët e partisë kryesore të opozitës, PASOK, nuk votuan as pro dhe as kundër, por shprehën rezerva për disa pika të ligjit. Ndërkohë, partitë e tjera të majta dhe nacionaliste votuan kundër tij.
Ministri i Qeverisjes Digjitale dhe Inteligjencës Artificiale, Dimitris Papastergiou, tha se ligji është një masë e nevojshme për të luftuar varësinë e fëmijëve nga rrjetet sociale.
Sipas tij, përdorimi i pakontrolluar i këtyre platformave mund të dëmtojë shëndetin mendor të fëmijëve, ndaj nevojiten masa konkrete për t’i mbrojtur ata.
Ligji parashikon sisteme për verifikimin e moshës së përdoruesve dhe gjoba të rënda për platformat që nuk respektojnë rregullat.
Ai parashikon gjithashtu zbatimin e propozimeve evropiane për rregullimin e përdorimit të internetit nga fëmijët, të njohura si “Kids Act”.
Në kuadër të ligjit do të përdoret edhe aplikacioni i ri “Kids Wallet”, i krijuar për të ndihmuar në verifikimin e moshës.
Ministri Papastergiou theksoi se aplikacioni nuk është një shpikje vetëm e Greqisë, por bazohet në standarde dhe kërkesa teknike të përcaktuara nga institucionet evropiane.
Sipas tij, aplikacioni nuk transmeton të dhëna personale të fëmijëve apo përdoruesve, por tregon vetëm nëse një person është mbi apo nën 15 vjeç. Ai nuk jep as datëlindjen e përdoruesit.
Ministri argumentoi se qeveria nuk mund të presë derisa të miratohet një ligj i përsosur në nivel evropian, ndërsa fëmijët vazhdojnë të ekspozohen ndaj përdorimit të pakontrolluar të internetit.
Vende të tjera që po vendosin kufizime
Greqia është ndër vendet e para të Bashkimit Evropian që miraton një ligj për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.
Sipas një përmbledhjeje të fundit të agjencisë AFP, më shumë se 20 vende në botë kanë miratuar masa të ngjashme, kryesisht për fëmijët nën 15 ose 16 vjeç.
Australia ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç që nga fundi i vitit 2025.
Edhe Austria, Sllovenia, Danimarka dhe Spanja kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, për të mbrojtur të miturit nga algoritmet, që mund t’i nxisin të qëndrojnë për periudha të gjata në këto platforma.
Franca miratoi gjithashtu një ligj të ngjashëm në korrik, që parashikonte ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.
Megjithatë, një muaj më vonë, Këshilli Kushtetues francez e rrëzoi masën, duke vlerësuar se ajo përbënte një kufizim joproporcional të lirisë së shprehjes. //a.i/
Burimi: ata.gov.al









