(Nderim dhe mirënjohje për bijtë e Kryeziut që dhanë gjakun për Atdheun në tri epoka: (1). At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu (lindur më 12.07.1874 në Janjevë të Kosovës, por me origjinë nga Kryeziu; vrarë më 14.10.1929 në Zym të Hasit të Thatë, në Komunën e Prizrenit, Kosovë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 850, datë 21.06.2021; (2). Dodë Mark Lleshi (lindur më 1887 në Kryezi dhe rënë më 7.11.1944 në Kryezi, Pukë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 59, datë 20.11.1969, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Dodë Mark Lleshi sakrifikoi jetën më 7.11.1944 për shpëtimin e një partizani të plagosur të Brigadës së XXII-të Sulmuese; (3). Nikollë Çun Vorfi (lindur më 1920 në Kryezi dhe rënë më 1944 në Kryezi, Pukë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 35, datë 10.04.1980, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës; (4) Nikollë Memë Çuku (lindur më 1924 në Kryezi dhe rënë më 1943 në Kryezi, Pukë), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 03, datë 30.01.1974, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Nikollë Memë Çuku (1924–1943), i njohur si dëshmori i parë i Atdheut i LANÇ-it në krahinën e Pukës, ra në qershor të vitit 1943, në moshën 19-vjeçare; (5). Rasim Selman Kryeziu (1933 Kryezi–7.7.1949 Milot) rënë në aksident tragjik duke shkuar në aksion kombëtar, shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 56, datë 17.06.2005, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”; (6). Allaman Nuh Dervishi (lindur më 20.09.1969 në fshatin Kryezi të Pukës dhe rënë në krye të detyrës më 24.05.2004, në moshën 35-vjeçare), shpallur dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 40, datë 16.11.2004, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, si dhe (7). Mehmet Brahim Brahimi (Aga) (1834-1880), 46 vjeçar dhe i biri (8) Brahim Mehmet Brahimi (Aga) (1860-1880), 20 vjeçar të rënë në Shkodër në periudhën e LSHP dhe që janë në proces të përgatitjes së dokumentacionit për shpallje me titullin “Dëshmor”).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI, MSC Vlash LEKA & Kujtim BISHAJ
Kryeziu kryelartë për kontributin në historinë kombëtare
Pesë dëshmorë të Atdheut janë pesë histori sakrifice dhe trashëgimie atdhetare që meritojnë të ruhen në kujtesën krahinore të Fushë Arrëzit, të Pukës dhe në kujtesën historike kombëtare. Kryeziu është sot në territorin administrativ të Bashkisë Fushë Arrëz, është një fshat me tradita të hershme historike, kulturore dhe atdhetare. Kryeziu ndodhet në një luginë të bukur malore; ky vend ka nxjerrë personalitete që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare dhe ka ruajtur ndër breza vlera të rëndësishme të identitetit kombëtar. Kontributi i tij nuk matet vetëm me traditat, me historinë e familjeve apo me zhvillimin e jetës shoqërore, por edhe me sakrificat e bijve të vet për Atdheun, për Shqipërinë, për kombin. Kryeziu ka një arsye të veçantë për të qenë kryelartë, sepse pesë nga bijtë e tij, edhe pse përfaqësojnë epoka të ndryshme të zhvillimeve shqiptare, janë shpallur zyrtarisht Dëshmorë të Atdheut: At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu, Dodë Mark Lleshi, Nikollë Çun Vorfi, Nikollë Memë Çuku dhe Allaman Nuh Dervishi. Ata i përkasin disa epokave të ndryshme historike dhe kanë dhënë kontributin e tyre në rrethana të ndryshme, por i bashkon lidhja me këtë trevë dhe vendi që zënë në kujtesën atdhetare të saj.
Nga martirizimi i një prifti, studiuesi dhe veprimtari të çështjes së gjuhës e kulturës kombëtare, te sakrificat gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rënia në krye të detyrës e një punonjësi të Policisë së Shtetit, historia e këtyre pesë burrave përfaqëson periudha të ndryshme të përpjekjeve shqiptare për identitet, liri dhe siguri publike. Në mjaft burime shkrimore dokumentare flitet për historinë e Kryeziut, për lidhjen e fshatit Kryezi me trashëgiminë e At Shtjefën Gjeçovit, si edhe me dëshmorët e tjerë të Atdheut Nikollë Çuku, Nikollë Vorfi, Dodë Lleshi dhe deri te dëshmori më i ri i policisë rrugore Allaman Dervishi. Të gjitha këto të dhëna e vendosin historinë e dëshmorëve të Kryeziut brenda një konteksti më të gjerë të traditave historike të zonës së Fushë Arrëzit dhe të Pukës.
Pesë dëshmorët e Kryeziut dhe kontributi i tyre për shqiptarizmin
At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu (1874–1929), një figurë madhore e gjuhës, e shkollave shqipe, e kulturës, çështjes kombëtare dhe bashkimit kombëtar
At Shtjefën Kostandin Gjeçovi-Kryeziu lindi më 12 korrik 1874 në Janjevë të Kosovës. Sipas të dhënave të përcjella për prejardhjen e tij, ai vinte nga një trung familjar me origjinë nga Kryeziu i Pukës. U vra më 14 tetor 1929 në Zym të Hasit të Thatë, në territorin e sotëm të Kosovës, pranë Prizrenit. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 850, datë 21 qershor 2021. At Shtjefën Gjeçovi zë një vend të veçantë në historinë e kulturës shqiptare. Ai ishte meshtar françeskan, studiues i traditës popullore, mbledhës i së drejtës zakonore dhe veprimtar i kulturës kombëtare. Puna e tij për mbledhjen dhe dokumentimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, si dhe interesimi për zakonet, folklorin dhe trashëgiminë shqiptare, ndihmuan në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të kujtesës shoqërore të vendit. Veprimtaria e Gjeçovit kishte rëndësi përtej kufijve të një krahine. Përmes kërkimeve, shkrimeve dhe punës së tij kulturore, ai kontribuoi në dokumentimin e identitetit shqiptar në një kohë kur ruajtja e gjuhës, traditave dhe vetëdijes kombëtare kishte rëndësi të veçantë. Vrasja e tij në Zym ishte një humbje e rëndë për kulturën shqiptare. Lidhja e prejardhjes së tij me Kryeziun i jep këtij fshati një arsye më shumë për të ruajtur dhe studiuar trashëgiminë e tij.
Figura e Gjeçovit dëshmon se kontributi për Atdheun nuk shfaqet vetëm në fushën e luftës. Ai shprehet edhe përmes dijes, kulturës, ruajtjes së gjuhës dhe dokumentimit të trashëgimisë kombëtare. Është mjaft domethënëse që edhe në institucionin më të lartë përfaqësues të shtetit shqiptar, në Parlament, vrasja e At Shtjefën Gjeçovit-Kryeziut u bë objekt diskutimi në vitin 1929. Një seancë e posaçme iu kushtua pikërisht kësaj ngjarjeje tragjike. Ky fakt dëshmon se rëndësia e tij kombëtare dhe pesha e krimit ndaj tij u kuptuan që në kohën kur ndodhi. Historia e tij nuk ishte thjesht historia e një meshtari të vrarë, por historia e një shqiptari që u bë shënjestër për shkak të përkushtimit ndaj gjuhës, arsimit dhe kulturës kombëtare. Shpallja e tij Dëshmor i Atdheut nuk e krijon madhështinë e At Shtjefën Gjeçovit, sepse atë ia kanë dhënë vepra, sakrifica dhe atdhetaria e tij deri në palcë. Ky titull e njeh zyrtarisht atë që brezat e kanë ditur dhe ruajtur në kujtesë, e kanë ruajtur si amanet për gati një shekull. Është një detyrim i përmbushur ndaj historisë, një vlerësim për një jetë të dhënë në shërbim të kombit, një mesazh për brezat e mbarë shqiptarizmit.
Është fakt se At Shtjefën Gjeçovi thoshte se atdhetarizmi nuk shprehet vetëm në fjalë të mëdha, por dëshmohet me punë, dije, guxim, me gatishmërinë për t’i shërbyer popullit në çdo lloj situate edhe kur kërkohet sakrifica sublime. Shtjefën Gjeçovi na mëson se gjuha duhet ruajtur, kultura duhet studiuar, historia duhet përcjellë me përgjegjësi dhe na kujton se kombi ndërtohet jo vetëm nga ata që luftojnë me armë, por edhe nga ata që e mbrojnë me penë, me shkollë, me dije, me kulturë, me krenari dhe me dinjitet. Faik Konica e ka cilësuar At Shtjefën Gjeçovin si “një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria”, ndërsa albanologu austriak Norbert Jokli e ka quajtur “punëtor i palodhur në fushën e letrave shqipe”. Shtjefën Gjeçovi bashkëpunoi me revistat e kohës: “Populli”, “Hylli i dritës”, “Albania”, “Brezi i ri”, ku ne e gjejmë me pseudonimet “Komnen Kanina”, “Lkeni i Hasit”, “Zana e Prezës”, “A.Sh.K.Gj”, “O.F.M”, dhe nga ana tjetër la rreth 10000 faqe dorëshkrime. Ai ishte si një “makinë intelektuale” enciklopedike, i cili njihte tetë gjuhë të huaja dhe që konsiderohet “Instituti shkencor gjeçovian”, si dhe nga ana tjetër me shkrimet e veta At Shtjefën Gjeçovi dëshmon se ai firmoste edhe me firmën “Kryeziu”, që dëshmon lidhjen e fuqishme me fshatin e vendlindjes së origjinës të të parëve.
Dodë Mark Lleshi (1887–1944), sakrifica për shpëtimin e një partizani të plagosur
Dodë Mark Lleshi lindi në vitin 1887 në Kryezi dhe ra po në fshatin e tij të lindjes në Kryezi, më 7 nëntor 1944, po në vendlindjen e tij. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me Vendimin nr. 59, datë 20 nëntor 1969, të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Pukës. Historia e Dodë Mark Lleshit lidhet me ngjarjet e mëdha të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në një periudhë kur Shqipëria po kalonte ditët vendimtare të përfundimit të luftës kundër pushtuesve. Sipas të dhënave historike të këtij fshati të njohur në vendin tonë, ai sakrifikoi jetën më 7 nëntor 1944 për të shpëtuar një partizan të plagosur të Brigadës së XXII Sulmuese.
Ky akt sublim përbën thelbin e kujtimit të tij të veçantë. Në kushtet e një konflikti të armatosur të shqiptarëve me pushtuesit, përpjekja për të shpëtuar
Burimi: kohajone.com










