Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Sport

Vincent Kompany në gjendje të rëndë, transportohet me helikopter në spital

Vincent Kompany në gjendje të rëndë, transportohet me helikopter në spital

Të premten pasdite, një helikopter i shërbimit të ambulancës ajrore u ul në fushën stërvitore të Bayern Munichut për trajnerin Vincent Kompany, i cili u transportua me urgjencë drejt spitalit, sipas raportimeve të “BILD”.

Problemet shëndetësore të Kompanyt

Kompany nuk ishte ndjerë mirë përgjatë gjithë javës.

Një infeksion viral e preku atë fundjavën e kaluar, duke e detyruar të qëndronte i shtrirë në dhomën e trajnerit gjatë dhe pas takimit me RB Leipzigun, të cilin Bayerni e fitoi me rezultatin 6-1.

Pasi mungoi në seancat stërvitore të Bayernit të hënën dhe të martën, ai i la ndihmësit të tij drejtimin e konferencës për shtyp para ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit, e cila përfundoi 2-2.

Sipas “BILD”, infeksioni viral i ka shkaktuar probleme me “indet e vjetra të mbresave”, duke bërë që Kompany, i cili gjatë karrierës ka luajtur edhe për Manchester Cityn, të ketë vështirësi në lëvizje.

Deklarata e trajnerit belg

Trajneri belg kishte deklaruar në konferencën për shtyp pas ndeshjes kundër Arsenalit: “Si trajner, gjithmonë dëshiron të bësh gjithçka dhe të arrish gjithçka. Javën e kaluar u preka nga një virus mjaft i rëndë dhe, natyrisht, nuk e dëgjova trupin tim. Në një moment të caktuar, trupi im më tha: Ndal tani!”.

Arsyeja pse Kompany u dërgua me ambulancë në spital të premten ende nuk është bërë e ditur.

Sipas “BILD”, ekzistojnë “shqetësime serioze” për gjendjen e trajnerit të Bayernit./GazetaExpress/

Burimi: www.gazetaexpress.com

Të fundit Të gjitha