Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një takim me mbrojtësin e Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, i cili kohët e fundit i është nënshtruar një operacioni në meniskun e gjurit të majtë si dhe në shputën e këmbës së djathtë.
Ademi ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kjo vizitë, duke i uruar futbollistit një rehabilitim sa më të suksesshëm dhe një rikthim të shpejtë e të fortë në fushën e lojës.
Problemet fizike të Hajdarit
Hajdari po kalon një periudhë të vështirë për shkak të problemeve fizike. Lëndimin e parë e pësoi gjatë grumbullimit të Kosovës në shtator, pas fitores 1-0 ndaj Republikës së Irlandës në Ligën e Kombeve.
Për shkak të dëmtimit, ai nuk u aktivizua në ndeshjen e radhës kundër Austrisë dhe u largua nga grumbullimi i përfaqësueses për të vijuar rikuperimin.
Ndikimi në Kombëtaren e Kosovës
Ndërkohë që synonte rikthimin në fushë, mbrojtësi 23-vjeçar u dëmtua sërish, këtë herë në shputën e këmbës, gjatë një seance stërvitore me Hoffenheimin, klubin e tij në Bundesligën gjermane.
Gjendja e Hajdarit përbën shqetësim edhe për Kombëtaren e Kosovës, e cila në nëntor do të luajë dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, përballë Izraelit dhe Republikës së Irlandës.
Burimi: www.albeu.com









