E ftuar në emisionin “Live me Luizin”, Ronela Hajati ka dhënë mendimin e saj edhe për gjendjen aktuale në Shqipëri.
Kur Luiz Ejlli e pyeti se çfarë do të bënte po të kishte postin e kryeministres, këngëtarja e njohur u përgjigj se do të rriste pensionet dhe pagat.
Ronela Hajati për pensionet dhe pagat
“Do rrisja pensionet. Nëna ime ka qenë mësuese e shkëlqyer, ka edukuar breza të tërë dhe nuk merr as 200 mijë lekë, është turp i madh. Do rrisja edhe pagat. Nuk merrem me politikë dhe larg qoftë ta bëj, sepse politika të ndyn edhe kur je njeriu më i ndershëm. Fatkeqësisht ne kemi një politikë më të ndyrë sesa ajo që përshkruhet në libra. Një gjë tjetër që do të nxisja, sepse kemi bërë gabim, është fakti që shumë prej nesh kanë ikur nga ky vend. Po të ishim 8 milionë këtu në Shqipëri, shumë gjëra ndoshta nuk do të ndodhnin. Mund të zëvendësonim personat që na kanë bërë keq. Unë e dua shumë Shqipërinë. Kjo është një temë shumë delikate, që siç thuhet rëndomë “ha debat”. Të them të drejtën, nuk më intereson kush parti vjen, nuk jam as e majtë as e djathtë. As emrin e presidentit nuk e dija. Kam një lloj profesioni që këngët e mia i dëgjon populli, dhe kjo më intereson. Këtu te ne ka një hendek shumë të madh mes njerëzve që kanë miliona dhe njerëzve që jetojnë në skamje. E nëse do ishte ndryshe, askush nuk do të ikte nga këtu”, u shpreh artistja.
Qëndrimi i këngëtares për ngjarjet e fundit
Kur Luiz Ejlli e pyeti nëse po i referohej ngjarjeve të fundit në Shqipëri, Ronela tha se “është situatë më delikate”.
“Unë jam me popullin, çfarëdo që u bëhet atyre mirë. Në momentin e parë që dëgjoj dikë që thotë ‘ia del’, sepse më shumë thonë ‘nuk ia del’”, tha këngëtarja.
Burimi: top-channel.tv










