Një imazh i zakonshëm i fytyrës mund të mbajë informacione të papritura rreth shëndetit dhe jetëgjatësisë, sidomos për individët që janë të prekur nga kanceri. Hulumtuesit në Mass General Brigham, në Boston të SHBA-së, kanë krijuar modele të inteligjencës artificiale të cilat, nëpërmjet një fotografie të vetme, janë në gjendje të vlerësojnë moshën biologjike të një pacienti dhe të parashikojnë rrezikun e vdekjes.
Studimi, i botuar të hënën në revistën shkencore “The Lancet Digital Health”, tregon se analiza e fytyrës mund të kthehet në një mjet shtesë për mjekët, duke i ndihmuar ata të vlerësojnë gjendjen e përgjithshme të pacientëve dhe të marrin vendime më të informuara për trajtimin.
“U befasova kur kuptova se mund të dallonim shenja të rrezikut të vdekjes vetëm nga një fotografi e fytyrës”, deklaroi Raymond Mak, autor i studimit dhe onkolog radioterapist në Institutin e Kancerit Mass General Brigham.
Modelet e inteligjencës artificiale janë trajnuar me mbi 40 milionë fotografi fytyrash dhe analizojnë zona të ndryshme për të vlerësuar moshën biologjike dhe rrezikun e vdekjes. Ndryshe nga mosha kronologjike, e cila tregon sa vite ka jetuar një person, mosha biologjike lidhet me mënyrën se si është plakur organizmi në nivel qelizor dhe fizik.
Modeli që vlerëson moshën biologjike analizon zonën e tëmthave, ballin, pjesën mbi sy dhe vijat që shtrihen nga hunda drejt cepave të gojës. Ndërsa modeli që parashikon rrezikun e vdekjes përqendrohet tek ura e hundës dhe zona poshtë syve.
Studiuesit vunë re gjithashtu një ngjashmëri interesante me përshkrimet e mjekut dhe filozofit të lashtë grek Hipokrat, i cili, rreth vitit 400 para erës sonë, përmendte hundën e mprehtë, sytë e futur dhe tëmthat e fundosur si shenja të humbjes së masës muskulore dhe rrezikut të vdekjes.
Sipas Mak, modelet nuk janë trajnuar me shkrime apo njohuri historike, por vetëm me fotografi fytyrash, moshën e personave dhe të dhëna nëse ata kishin vdekur. Për këtë arsye, ngjashmëria me përshkrimet e Hipokratit ishte shumë befasuese për ekipin kërkimor.
Për studimin, ekipi fillimisht krijoi një model të quajtur FAHR-Face, të trajnuar me fotografi të personave të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme. Më pas, prej tij u zhvilluan dy modele të veçanta: FAHR-FaceAge, që vlerëson moshën biologjike nga një fotografi, dhe FAHR-FaceSurvival, që parashikon rrezikun e vdekjes te pacientët me kancer duke kombinuar tiparet e fytyrës me të dhëna të tjera klinike.
Rezultatet treguan se, nga 122 pacientë të cilët modeli i klasifikoi si persona me rrezik të lartë për të vdekur, 52,5 për qind humbën jetën brenda 90 ditëve nga vlerësimi. Në grupin me rrezikun më të ulët, ku përfshiheshin 975 pacientë, vetëm rreth 2 për qind vdiqën gjatë së njëjtës periudhë.
Edhe vlerësimi i moshës biologjike nxori në pah një lidhje të rëndësishme. Nga 1.060 pacientë, mosha biologjike e të cilëve vlerësohej të ishte më shumë se 20 vjet mbi moshën e tyre kronologjike, 21 për qind vdiqën brenda 90 ditëve. Në të kundërt, në grupin prej 4.195 pacientësh, mosha biologjike e të cilëve vlerësohej të ishte të paktën 10 vjet më e ulët se mosha kronologjike, rreth 6 për qind vdiqën brenda kësaj periudhe.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se ndryshimet kozmetike në fytyrë, si ndërhyrjet kirurgjikale, injeksionet me botoks apo përdorimi i makijazhit, nuk ndikuan në performancën e modeleve.
Megjithatë, autorët theksojnë se teknologjia nuk synon të zëvendësojë mjekët apo vlerësimet ekzistuese klinike. Ajo mund të shërbejë si një mjet shtesë për të identifikuar pacientët që mund të kenë nevojë për ekzaminime të mëtejshme ose për një vlerësim më të kujdesshëm të gjendjes shëndetësore.
Ekspertë të tjerë e kanë vlerësuar studimin si premtues, por kanë paralajmëruar se nevojiten kërkime të mëtejshme përpara se teknologjia të përdoret në spitale. Wilbur Lam, profesor i pediatrisë dhe inxhinierisë biomjekësore në Universitetin Emory, e cilësoi studimin bindës për shkak të madhësisë së bazës së të dhënave, por theksoi se dobia e tij në praktikën klinike duhet të provohet përmes studimeve të ardhshme.
Edhe Miroslaw Bober, profesor në Universitetin e Surrey-t, nënvizoi se një parashikim i saktë nuk do të thotë domosdoshmërisht se është kuptuar shkaku që qëndron pas tij. Sipas tij, modeli vlerëson moshën nga pamja e fytyrës, por nuk mat drejtpërdrejt proceset biologjike të plakjes.
Mbetet gjithashtu për t’u vërtetuar nëse teknologjia funksionon me të njëjtën saktësi te persona të grupmoshave, ngjyrave të lëkurës dhe tipareve të ndryshme të fytyrës, si dhe në spitale të tjera. Studiuesit duhet të përcaktojnë nëse modeli ofron informacion shtesë përtej vlerësimit që mjekët bëjnë për gjendjen e përgjithshme të pacientëve.
Për momentin, analiza e fytyrës përmes inteligjencës artificiale mbetet një teknologji në fazë kërkimore. Ajo ofron një mundësi të re për studimin e shëndetit dhe rrezikut të vdekjes, por nevojiten prova të mëtejshme për të përcaktuar nëse mund të ndihmojë realisht në përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve me kancer.
Burimi: anabelmagazine.com










