Një çift nga Kroacia ka dalë në Reddit për të gjetur njerëz që do të ishin dëshmitarë në martesën e tyre, sepse dëshironin të martoheshin pa dasmë, pa festë të madhe dhe pa miq e të afërm.
Çifti, përkatësisht 36 dhe 40 vjeç, postoi një njoftim në Reddit ku kërkonte një çift tjetër me të njëjtat dëshira, me të cilin do të shkëmbenin rolin e dëshmitarit në ceremonitë e martesës.
Ata shpjeguan se donin ta kryenin ceremoninë vetëm në zyrën e gjendjes civile, pa organizime të mëdha dhe pa e shndërruar atë ditë në një ngjarje me shumë të ftuar.
Ideja e tyre ishte që të dy çiftet të ishin dëshmitarë të martesës së njëri-tjetrit, të uronin njëri-tjetrin, të pinin nga një pije dhe më pas secili të vazhdonte rrugën e vet.
Reagimet në Reddit
Njoftimi shkaktoi shumë reagime në Reddit. Disa përdorues e mbështetën idenë, duke vlerësuar dëshirën e çiftit për një ceremoni të thjeshtë, ndërsa të tjerë shprehën habi për vendimin që të mos përfshinin miqtë e tyre.
Njëri prej komentuesve i pyeti pse nuk dëshironin që miqtë të ishin dëshmitarë, ndërsa çifti sqaroi se nuk bëhej fjalë për mungesë shoqërie, por për dëshirën që këtë moment ta përjetonin në mënyrën e tyre.
“Nuk është puna te miqtë. Duam diçka tonën dhe për këtë nuk na duhen as miqtë, as të afërmit”, u përgjigjën ata.
Pas publikimit të njoftimit, në komentet e tyre u paraqitën edhe persona të interesuar. Një çift nga Zagrebi tregoi se kishte plane të ngjashme dhe se do të dëshironte të merrej vesh me ta për organizimin e ceremonive.
Një grua shkroi se ajo dhe partneri i saj synonin një martesë të thjeshtë, me nënshkrimin në gjendjen civile dhe një drekë të shkurtër, pa organizime të tjera.
Ajo tha se martesa do t’u mundësonte edhe pesë ditë pushim nga puna, pasi në shumë aspekte tashmë jetonin si të martuar.
Çifti që publikoi njoftimin e mirëpriti ofertën, duke lënë të hapur mundësinë që të organizojnë së bashku ceremonitë e tyre.
Burimi: www.kosovarja-ks.com









