Pas shumë vitesh në rolin e përzgjedhësit të artistëve që ngjiten në një nga skenat më prestigjioze të muzikës globale, Jay-Z duket se është gati të marrë vetë mikrofonin. Reperi amerikan raportohet të ketë zgjedhur veten si protagonist të spektaklit të pushimit të Super Bowl 2027, i cili do të zhvillohet në shkurt në stadiumin SoFi në Los Angeles.
Sipas një raportimi të Puck, i cili i referohet burimeve nga industria muzikore, Jay-Z ka shqyrtuar edhe emra të tjerë të njohur, përfshirë Miley Cyrus dhe Justin Bieber, por në fund ka vendosur të jetë vetë në qendër të vëmendjes. Deri tani, përfaqësuesit e NFL-së dhe Roc Nation nuk kanë dhënë asnjë koment zyrtar për këtë lajm.
Një njoftim zyrtar mund të vijë gjatë këtij fundjavë, kur reperi pritet të performojë në dy koncerte pothuajse të shitura plotësisht në stadiumin SoFi, i njëjti vend ku do të zhvillohet edhe Super Bowl LXI. Jay-Z, 56 vjeç, ka një rol kyç në përzgjedhjen e artistëve për spektaklin e pushimit përmes kompanisë së tij Roc Nation, e cila bashkëpunon me NFL-në që nga viti 2019. Marrëveshja, me vlerë rreth 5 milionë dollarë në vit, u rinovua në vitin 2024 edhe për pesë vite të tjera.
Bashkëpunimi nisi në një periudhë kur liga amerikane e futbollit përballej me kritika për mënyrën se si trajtonte protestat e lojtarëve. Që atëherë, Roc Nation ka ndihmuar në organizimin e performancave të artistëve të njohur, mes tyre Rihanna, Usher, Kendrick Lamar dhe Bad Bunny.
Nëse konfirmohet, performanca do të përkojë me një periudhë të rëndësishme për karrierën e Jay-Z. Gjatë vitit 2026, reperi po feston 30-vjetorin e albumit të tij debutues, Reasonable Doubt, si dhe 25-vjetorin e albumit The Blueprint. Një nga momentet më të spikatura të këtij viti ishte edhe ribashkimi i Fugees në dy koncertet e tij në Londër, një element që mund të japë një ide për surprizat e mundshme nëse ai ngjitet në skenën e Super Bowl. Megjithatë, zgjedhja nuk është pa rreziqe. Ndryshe nga Bad Bunny dhe Kendrick Lamar, Jay-Z nuk ka pasur një hit të madh solo në vitet e fundit. Por suksesi i një performance të tillë nuk varet vetëm nga renditja në klasifikimet muzikore, por edhe nga ndikimi kulturor, katalogu i hiteve dhe aftësia për të krijuar një spektakël që mbetet në kujtesën e publikut.
Burimi: www.topalbaniaradio.com










