Pjesëmarrja e Monika Kryemadhit si opinioniste në edicionin e pestë të “Big Brother VIP Albania” u diskutua gjerësisht nga publiku. Me komentet e saj të drejtpërdrejta dhe batutat që shoqëronin bisedat për banorët, ajo arriti të tërhiqte vëmendjen gjatë spektaklit.
Monika Kryemadhi dhe mundësia e një rikthimi
Por, a do ta shohim sërish në këtë rol në sezonin e ardhshëm?
Kësaj pyetjeje Monika iu përgjigj gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”, ku ishte e ftuar së bashku me personazhe të tjerë të botës së showbiz-it.
E pyetur nga Selin Bollati, fituesja e edicionit të fundit të reality show-t, nëse do të pranonte të ulej sërish në kolltukun e opinionistes, Kryemadhi u shpreh se dëshira për t’u rikthyer nuk i mungon.
Megjithatë, ajo theksoi se vendimi përfundimtar i takon produksionit, duke nënvizuar se formati mund të ketë nevojë për figura të reja.
“Patjetër që do të kisha qejf. Mendoj që janë ngritur të gjithë njerëzit për sistem të ri, njerëz të rinj, çfarë do të bëj unë sërish te Big Brother”, u shpreh ajo, duke shtuar se zgjedhja varet nga Sara dhe grupi i punës që merr vendimet për programin.
Eksperienca në formatin e Big Brother
Pavarësisht pasigurisë për një rikthim të mundshëm, Monika e kujtoi me shumë pozitivitet eksperiencën e saj në këtë format, duke e cilësuar si një periudhë të jashtëzakonshme.
Për momentin, ende nuk ka informacione zyrtare për emrat që do të jenë pjesë e sezonit të ri të “Big Brother VIP Albania”. Mbetet për t’u parë nëse produksioni do të zgjedhë të rikthejë figura të njohura të edicioneve të kaluara apo do t’u japë hapësirë emrave të rinj.
Burimi: bordo.al









