Procesi gjyqësor për vdekjen e legjendës së futbollit, Diego Maradona, po i afrohet një momenti vendimtar. Gjykata e San Isidros ka caktuar 22 dhjetorin si datën kur pritet të shpallet vendimi për çështjen që synon të sqarojë përgjegjësitë për vdekjen e ish-futbollistit argjentinas.
Dalma Maradona kërkon drejtësi
Seanca përmbyllëse u shoqërua me emocione të forta nga vajza e tij, Dalma Maradona, e cila nuk i mbajti dot lotët teksa iu drejtua trupit gjykues. Ajo kërkoi që babait të saj t’i jepet drejtësi, duke theksuar se fama e tij nuk duhet të ndikojë në mënyrën se si trajtohet çështja.
“Gjatë këtij gjyqi na është dashur të dëgjojmë gjëra të tmerrshme. E dinim se kjo mund të ndodhte. Tani kërkoj vetëm që babai im të marrë drejtësi. Pavarësisht se është Maradona, ai e meriton drejtësinë si çdo njeri tjetër”, u shpreh ajo para gjyqtarëve.
Vendimi pritet më 22 dhjetor
Diego Maradona ndërroi jetë në nëntor të vitit 2020, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në futbollin botëror. Vdekja e tij u pasua nga një proces ligjor që synon të përcaktojë nëse personat përgjegjës për kujdesin ndaj tij kanë përgjegjësi për ngjarjen tragjike.
Shpallja e vendimit më 22 dhjetor pritet të jetë një moment kyç për familjen e Maradonës dhe për një çështje që ka mbajtur të ndezur debatin mbi rrethanat e fundit të jetës së një prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Burimi: bordo.al










