Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Showbiz

Ngjyra që duhet të kesh në shtëpi për të sjellë ekuilibër në jetë sipas Feng Shui

Ngjyra që duhet të kesh në shtëpi për të sjellë ekuilibër në jetë sipas Feng Shui

Në Feng Shui, ngjyrat shihen si një mjet i fuqishëm për të krijuar harmoni në shtëpi. Secila nuancë lidhet me një nga pesë elementet dhe besohet se ndikon në energjinë e hapësirës. Për shembull, nuancat e blusë lidhen me qetësinë dhe relaksimin, ndërsa e kuqja me pasionin dhe gjallërinë.

“Ngjyra është mjeti më i fuqishëm dhe më i bukur për të ndryshuar energjinë e një ambienti”, thotë ekspertja e Feng Shui-t, Dana Claudat. Sipas saj, ngjyrat që na rrethojnë ndikojnë vazhdimisht te sjellja, mënyra e të menduarit, humori dhe energjia jonë.

Ekspertët shpjegojnë se si mund të përdoren 12 ngjyra për të krijuar një shtëpi më të harmonishme.

1. E kuqja

E kuqja lidhet me elementin e zjarrit, një nga pesë elementet e Feng Shui-t. Ajo simbolizon pasionin, famën dhe reputacionin, sipas Susan Chan nga Feng Shui Creative. Në arredimin e shtëpisë, kjo ngjyrë mund të sjellë gjallëri dhe energji.

Megjithatë, është e rëndësishme të mos teprohet me të. “E kuqja e përdorur me tepricë mund të bëhet mbytëse, në vend që të të japë energji. Nuk e rekomandoj në ambientet ku dëshiron të çlodhesh, por në hapësira ku të duhet më shumë gjallëri, si zyra apo një ambient profesional”, shpjegon Chan.

2. E verdha

E verdha përfaqëson elementin e tokës, i cili lidhet me qëndrueshmërinë. Nëse dëshiron që shtëpia të përcjellë ngrohtësi dhe rehati, mund ta përfshish këtë ngjyrë përmes mobilieve, elementeve dekorative që bien në sy apo një muri me ngjyrë të verdhë.

3. E gjelbra

E gjelbra lidhet me elementin e drurit dhe simbolizon rritjen dhe bollëkun. Reiko Gomez, nga Reiko Home, sugjeron vendosjen e bimëve në pjesën juglindore të shtëpisë për të nxitur marrëdhëniet dhe romancën.

4. E bardha

“Kur gjithçka është e bardhë, përfaqësohet elementi i metalit, por ndonjëherë ambienti mund të duket i ftohtë, bosh ose tepër i zbehtë, në vend që të jetë i freskët dhe i ndriçuar”, thotë Chan.

Nëse dëshiron ta përdorësh të bardhën, merr parasysh dritën natyrale që hyn në dhomë. “Nëse dhoma është e orientuar nga veriu dhe ka ndriçim më të ftohtë, zgjidh nuanca më të ngrohta të së bardhës. Nëse merr dritë të ngrohtë nga jugu, një e bardhë më e ftohtë, me nuanca blu, mund të ndihmojë në ekuilibrimin e ambientit”, këshillon ekspertja.

5. E zeza

Në Feng Shui, e zeza lidhet me elementin e ujit, i cili simbolizon dijen, mençurinë dhe bollëkun. Megjithatë, edhe me këtë ngjyrë duhet treguar kujdes.

“E zeza e përdorur me tepricë mund ta bëjë hapësirën të duket e rëndë, në vend që të krijojë ndjesi qëndrueshmërie. Ngjyrat e errëta lidhen me energjinë Yin, e cila favorizon gjumin dhe çlodhjen, ndaj është më mirë të përdoren në dhomën e gjumit”, thotë Chan.

6. Kafja

Ashtu si e verdha, edhe kafja simbolizon elementin e tokës, që lidhet me rehatinë dhe qëndrueshmërinë. Kjo ngjyrë neutrale mund t’i japë shtëpisë një ndjesi më të ngrohtë dhe të qetë. Për një rezultat të ekuilibruar, kombinoje me ngjyra dhe elemente të tjera të Feng Shui-t.

7. Vjollca

Si përzierje e blusë dhe së kuqes, vjollca ndërthur edhe kuptimet që lidhen me këto dy ngjyra. “Bluja përfaqëson drurin, ndërsa e kuqja zjarrin. Për këtë arsye, vjollcën e përdorim për të simbolizuar pasurinë, duke ndërthurur drurin me zjarrin”, shpjegon Marianne Gordon nga Feng Shui With Me.

8. Roza

Roza, përzierje e së kuqes dhe së bardhës, mund të sjellë në ambient ndjesi dashurie për veten dhe ndjeshmërie. “Roza përfaqëson zjarrin dhe metalin. Është një ngjyrë që e lidhim me dashurinë dhe marrëdhëniet”, thotë Gordon.

9. Portokallia

Portokallia ndërthur pasionin dhe fuqinë e zjarrit, që përfaqësohet nga e kuqja, me qëndrueshmërinë dhe rehatinë e tokës, që lidhet me të verdhën. Kjo e bën një zgjedhje energjike për çdo dhomë. Mund ta përfshish përmes një kolltuku që bie në sy ose një vepre arti me nuanca portokalli, për të krijuar një ambient të gjallë, por njëkohësisht mikpritës.

10. Bruzi

Sipas Chan, bruzi ndërthur elementet e drurit dhe të ujit, duke u konsideruar e përshtatshme për krijimtarinë dhe idetë e reja. Kjo nuancë mes blusë dhe së gjelbrës mund të jetë një zgjedhje e mirë për zyrën ose këndin e punës në shtëpi.

11. Magenta

Edhe pse nuk lidhet drejtpërdrejt me asnjërin prej pesë elementeve, magenta konsiderohet një ngjyrë e rëndësishme në Feng Shui, sipas Claudat.

“Nga ana teknike, nuk është një ngjyrë që ka gjatësinë e vet të valës. Është një ngjyrë që truri ynë e percepton kur valët e së kuqes dhe blusë shfaqen së bashku”, shpjegon ajo. Claudat thotë se gjatë 20 viteve të fundit e ka përdorur këtë ngjyrë në ambientet që dëshiron t’i bëjë më tërheqëse dhe magjike.

12. Ngjyra pjeshkë

Sipas Chan, pjeshka, ashtu si roza, përdoret tradicionalisht për të tërhequr romancën. Ajo mund të ndihmojë në krijimin e një ambienti të ngrohtë dhe mikpritës, me një ndjesi butësie dhe feminiliteti.

Burimi: anabelmagazine.com

Të fundit Të gjitha