Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Shëndetësi

Vaksinimi kundër gripit sezonal në Prishtinë, QKMF: Kemi vaksina të mjaftueshme

Vaksinimi kundër gripit sezonal në Prishtinë, QKMF: Kemi vaksina të mjaftueshme

Në Prishtinë ka filluar vaksinimi kundër gripit sezonal dhe vlerësohet se interesi i qytetarëve për ta marrë vaksinën është i mirë. Sipas statistikave të përditësuara së fundmi, rreth 600 qytetarë janë vaksinuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, si dhe në qendrat e tjera të mjekësisë familjare.

Përvoja e një banori të Kalabrisë

Gani Zabeli, i cili jeton në lagjen Kalabria të Prishtinës, prej më shumë se 15 vjetësh vaksinohet çdo vjeshtë kundër gripit sezonal. Ai shprehet për KosovaPress se e merr rregullisht këtë vaksinë për t’u mbrojtur nga sëmundjet që shfaqen në vjeshtë dhe dimër.

Meqë në lagjen ku banon vaksinat nuk po jepeshin gjatë fundjavës, Zabeli shkoi në pikën kryesore të vaksinimit, ku thotë se shërbimi ishte i shpejtë dhe nuk u desh të priste gjatë.

“Më shumë se 15 vjet, çdo vjeshtë e marr këtë vaksinë për t’u mbrojtur nga këto sëmundje dimërore, që janë kryesisht inflamacione, viruse e kështu”, ka deklaruar Zabeli.

Ai u është drejtuar qytetarëve me thirrjen për t’u vaksinuar, duke përmendur veçanërisht të moshuarit, fëmijët dhe ata që kanë probleme shëndetësore, dhe ka vlerësuar se vaksinimi mund t’i ndihmojë ata të përballojnë më lehtë sëmundjet sezonale.

“Unë kam një mesazh për të gjithë ata që janë të sëmurë: pleqtë që nuk kanë imunitet të mjaftueshëm dhe fëmijët: ta marrin vaksinën, se ua lehtëson kalimin e virozave dhe sëmundjeve të vjeshtës e dimrit”, tha ai.

Zabeli vlerësoi gjithashtu mundësinë e vaksinimit falas, si dhe shërbimin që mori në pikën ku u vaksinua.

“Meqenëse këto janë gratis, shteti i siguron dhe kemi një shërbim të shkëlqyeshëm. Asnjë minutë, dy nuk prita dhe e mora vaksinën këtu. Pse mos ta marrë për të fituar imunitet në organizmin tonë”, ka thënë Zabeli.

Interesi më i lartë te të moshuarit dhe pacientët kronikë

Sipas statistikave të fundit, rreth 600 qytetarë u vaksinuan të enjten në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) dhe në qendrat e tjera të mjekësisë familjare.

Këtë e bëri të ditur për KosovaPress doktoresha pranë Qendrës së Vaksinimit në QKMF në Prishtinë, Rineta Turku, e cila tha se interesi më i madh është te të moshuarit dhe te ata që vuajnë nga sëmundje kronike.

“Procesi i vaksinimit kundër gripit sezonal ka filluar prej ditës së hënë, më 22 tetor. Qytetarët mund ta kryejnë këtë shërbim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në 15 qendra të tjera të Mjekësisë Familjare, ku ka njësi të vaksinimit. Interesimi i qytetarëve është jashtëzakonisht i mirë. Më të interesuar janë personat me sëmundje kronike dhe personat e moshuar”, ka deklaruar Turku.

Ajo bëri të ditur se, sipas statistikave të përditësuara një ditë më parë, numri i qytetarëve të vaksinuar ka arritur në rreth 600.

“Dje, sipas statistikave që i kemi nxjerrë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe nëpër qendrat e tjera, afër 600 qytetarë janë vaksinuar”, ka thënë Turku.

Ajo tregon se qytetarët mund të vaksinohen në QKMF në Prishtinë nga ora 07:00 deri në orën 20:00, ndërsa në qendrat e tjera të mjekësisë familjare vaksinimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në 13:30.

Duke folur për rëndësinë e vaksinimit, Turku theksoi se disa kategori të qytetarëve duhet të kenë përparësi, përfshirë personat e moshuar, ata me sëmundje kronike, gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç.

“Prioritet kanë personat e sëmurë, personat e moshuar, gratë shtatzëna, fëmijët prej moshës gjashtë muaj deri në pesë vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike”, ka deklaruar Turku.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër gripit sezonal, duke theksuar se vaksinimi ndihmon në parandalimin e komplikimeve shëndetësore dhe uljen e rrezikut për hospitalizim.

“Meqë sezoni i gripit ka filluar, u bëjmë thirrje qytetarëve të vaksinohen, pasi këto vaksina janë shumë të mira dhe i mbrojnë nga përhapja e infeksioneve, nga komplikimet e mëtejshme dhe ndihmojnë në parandalimin e hospitalizimit”, ka thënë Turku.

Sa i përket furnizimit, Turku siguroi se aktualisht ka vaksina të mjaftueshme dhe se do të sigurohen doza shtesë nëse rritet kërkesa.

“Kemi vaksina të mjaftueshme. Sa më shumë të rriten kërkesat, ne do të sigurojmë vaksina për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar ajo.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), gripi sezonal është një infeksion akut i rrugëve të frymëmarrjes që përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave që lirohen gjatë kollitjes dhe teshtitjes.

Ndonëse shumica e të infektuarve shërohen brenda një jave, gripi mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te personat e moshuar, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike.

Vaksinimi vjetor konsiderohet masa kryesore për parandalimin e gripit dhe ndihmon në uljen e rrezikut për forma të rënda të sëmundjes dhe komplikime shëndetësore. OBSH-ja rekomandon gjithashtu respektimin e masave të higjienës, përfshirë larjen e rregullt të duarve dhe mbulimin e gojës e hundës gjatë kollitjes ose teshtitjes.

Burimi: ekonomiaonline.com

Të fundit Të gjitha