Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka njoftuar publikisht për presione të pretenduara nga policia ndaj banorëve të Bashkisë Krujë, me synim pengimin e pjesëmarrjes së tyre në protestat kundër qeverisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kalaja pohon se disa qytetarë janë thirrur gjatë ditës së sotme në polici, ku u është ushtruar presion për të mos marrë pjesë në tubime.
Sipas tij, në disa raste punonjësit e policisë kanë shkuar edhe në banesat e qytetarëve me katër automjete policie, veprime që ai i konsideron si metoda frikësimi.
“Këto janë metodat e terrorit që Edi Rama të mbajë pushtetin”, deklaron Kalaja.
Kalaja lidh denoncimin me plagosjen e Erjon Vishkullit
Përfaqësuesi demokrat e lidh denoncimin edhe me plagosjen e rëndë të 28-vjeçarit Erjon Vishkulli gjatë protestës në Tiranë, duke kërkuar përgjegjësi për incidentin.
Kalaja akuzon policinë se, në vend që të sqarojë përgjegjësitë për plagosjen e të riut, po ushtron presion ndaj qytetarëve që dëshirojnë të protestojnë.
Reagimi i plotë i Aulon Kalasë:
“Banorë të Bashkisë Krujë janë thirrur sot në polici, duke iu bërë presion që të mos dalin në protestë. Disa prej tyre u kanë shkuar në shtëpi me 4 makina policie.
Këto janë metodat e terrorit që Edi Rama të mbajë pushtetin.
Ne menduam se do të kishim ndonjë përgjegjësi për policin që i nxori syrin të riut nga Elbasani, por jo, policia ushtron terror ndaj qytetarëve të lirë që të mos dalin më në shesh.
Përballë do të na keni.”
Burimi: sot.com.al










