Janë 13 persona që kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve të marra gjatë protestës së datës 24 tetor në Tiranë.
Në mesin e të lënduarve ka protestues, pjesëtarë të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të mediave, ndërsa katër protestues vazhdojnë të jenë në ekzaminim dhe trajtim në Spitalin Universitar të Traumës. Sipas njoftimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në Spitalin e Traumës janë paraqitur nëntë persona të lënduar, prej të cilëve shtatë protestues dhe dy përfaqësues të medias. Pesë nga këta persona janë larguar nga spitali pasi morën trajtimin e duhur, ndërsa katër protestues vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin mjekësor. Njëri prej protestuesve ka lëndim në sy dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve, por gjendja e tij nuk paraqet rrezik për jetën.
Trajtimi në QSUT dhe Poliklinikën Nr. 2
Ndërkaq, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur një protestues dhe një punonjës policie. Të dy janë larguar nga spitali pasi kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Po ashtu, në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë janë trajtuar dy punonjës policie, të cilët kishin lëndime në sy. Edhe këta janë larguar nga poliklinika pasi morën ndihmën mjekësore.
Burimi: top-channel.tv










