Kalo te përmbajtja

Lajme të shpejta, të verifikuara dhe të paanshme

Lajm i fundit
Shëndetësi

Probiotikët mund të ndihmojnë në trajtimin e depresionit dhe ankthit

Probiotikët mund të ndihmojnë në trajtimin e depresionit dhe ankthit
Foto: ata.gov.al

TEL AVIV, 28 nëntor /ATSH-TPS/ – Studiuesit izraelitë kanë zbuluar prova paraprake se suplementet probiotike mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të depresionit dhe ankthit.

Studimi i vogël klinik u krye te të rritur që kishin përjetuar pasoja në shëndetin mendor pas tre vitesh lufte.

Gjetjet i shtohen interesit në rritje të komunitetit shkencor për lidhjen midis baktereve të zorrëve dhe shëndetit mendor, si dhe mundësinë që ndryshimi i ekuilibrit të tyre të ndihmojë në trajtimin e çrregullimeve psikologjike.

Çfarë janë probiotikët

Probiotikët janë mikroorganizma të gjallë, të njohur zakonisht si baktere të dobishme, të cilët ndihmojnë në ruajtjen ose rikthimin e ekuilibrit të shëndetshëm të florës bakteriale në sistemin tretës.

Studimi ngre mundësinë që suplementet probiotike të përdoren si një trajtim plotësues për pacientët që nuk reagojnë mjaftueshëm ndaj medikamenteve tradicionale ose që përjetojnë efekte anësore të padëshiruara.

Studimi klinik u zhvillua në Qendrën Mjekësore „Barzilai“ në Ashkelon dhe mbështetet në provat gjithnjë e më të shumta mbi të ashtuquajturën boshti zorrë-tru, rrjeti i komunikimit që lidh bakteret e sistemit tretës me sistemin nervor qendror.

Studimet e mëparshme sugjerojnë se bakteret e zorrëve mund të ndikojnë në proceset inflamatore, në prodhimin e substancave që lidhen me rregullimin e humorit, përfshirë serotoninën, si dhe në mënyrën se si organizmi përballon stresin.

Ky besohet të jetë studimi i parë në Izrael që shqyrton klinikisht përdorimin e një suplementi probiotik me disa lloje bakteresh si ndërhyrje për përmirësimin e shëndetit mendor.

Rezultatet e studimit

„Depresioni dhe ankthi janë ndër sfidat më komplekse dhe më të përhapura të mjekësisë moderne. Trajtimet tradicionale me medikamente shpesh shoqërohen me efekte anësore ose nuk ofrojnë një zgjidhje të plotë për çdo pacient“, deklaroi doktoresha Daniela Amital, drejtuese e Departamentit të Psikiatrisë në Qendrën Mjekësore Barzilai, e cila udhëhoqi kërkimin.

Në studim morën pjesë 23 të rritur, të cilët për tetë javë morën çdo ditë nga një kapsulë që përmbante 11 lloje bakteresh të familjeve „Lactobacillus“ dhe „Bifidobacterium“.

Studiuesit regjistruan përmirësime statistikisht të rëndësishme në të katër treguesit klinikë të përdorur për vlerësimin e simptomave. Suplementi u tolerua gjithashtu mirë nga pjesëmarrësit.

Përmirësimet dukeshin më të theksuara te gratë, personat me arsim të lartë dhe individët e martuar. Studiuesit sugjeruan se këto dallime mund të ndihmojnë në përcaktimin e grupeve që mund të përfitojnë më shumë nga suplementet probiotike.

Kufizimet e kërkimit

Megjithatë, numri i vogël i pjesëmarrësve kërkon që këto rezultate të interpretohen me kujdes.

Vetë studiuesit theksuan se kufizimet kryesore të kërkimit ishin numri i vogël i pjesëmarrësve, vetëm 23 persona, si dhe mungesa e një grupi kontrolli që do të merrte një placebo.

Për këtë arsye, nuk mund të përcaktohet me siguri nëse përmirësimet erdhën si rezultat i suplementit apo nga faktorë të tjerë. Nevojiten gjithashtu studime të mëtejshme për të kuptuar mekanizmin përmes të cilit probiotikët mund të ndikojnë në simptomat psikologjike.

Nëse këto rezultate konfirmohen nga studime më të mëdha dhe të kontrolluara, suplementet probiotike mund të bëhen një mundësi shtesë krahas trajtimeve tradicionale psikiatrike. /Ad.Ab./ a.jor.

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha