Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Pranvera Skana, deklaron se ekzekutivi vazhdon të bëjë thirrje për dialog me ata që po protestojnë. Ajo thekson se shfaqja e pakënaqësive është diçka e natyrshme në një shoqëri demokratike, ku nuk ndihen të gjithë qytetarët të përfaqësuar.
Si e shikon qeveria këtë situatë, si një krizë të rendit publik apo si një krizë politike?
Pranvera Skana: Nuk mund të bëjmë klasifikime të menjëhershme të situatës për t’i vënë domosdoshmërisht një etiketë, por ajo që unë e konsideroj të rëndësishme është fakti që kjo protestë ka ndikuar drejtpërdrejt ose tërthorazi në jetën e shqiptarëve, edhe përmes fluksit të mediave që kanë prodhuar për kaq ditë me akte ndoshta të pakëndshme për publikun. Nëse Policia Shqiptare mund ta quajë atë një rast ose shkelje të rendit publik, unë do të thoja që kryeministri Rama prej ditësh po u ofron të rinjve mundësinë për dialog, pse jo edhe për një trajtim politik të kërkesave të tyre, nëse ata pranojnë të dialogojnë dhe të shihen sy më sy.
Meqenëse protesta vijon, a tregon kjo se strategjia e qeverisë për ta menaxhuar këtë situatë deri tani ka dështuar?
Pranvera Skana: Nuk po vendosim etiketa për të përcaktuar nëse ky mision është për t’u quajtur dështak apo i suksesshëm. Ajo që mund të vlerësoj dhe të them me bindje të plotë është që objektivi i qeverisë është absolutisht i palëkundur për të dëgjuar dhe për të trajtuar çdo zë që vjen nga protesta, nga qytetarët dhe nga opinioni publik.
Kemi parë akte dhune këto ditë. Megjithatë, fakti që ekziston një pakënaqësi reale dhe njerëzit i shohim në rrugë, a tregon kjo se qeveria nuk ka arritur t’i përballojë dhe t’i adresojë këto pakënaqësi?
Pranvera Skana: Është krejt e natyrshme që të ketë pakënaqësi, sepse edhe në vende të tjera të Evropës më pak se 50 për qind e popullsisë votojnë kur i japin një qeverie mandatin për të drejtuar, dhe sigurisht që ka të pakënaqur e të papërfaqësuar, dhe kjo është plotësisht normale. Ajo që ka rëndësi është që të akomodohet dhe të dëgjohet çdo zë, pavarësisht nga kush vjen dhe si vjen. Qeveria ka angazhimin maksimal për të dëgjuar dhe për të vazhduar me thirrjen se kjo zgjidhje vjen vetëm përmes negociatave dhe dialogut. Nuk mund të ketë asnjë alternativë tjetër si dhuna, gurët apo forma të tjera që nuk i përkasin vitit 2026, por një të shkuare të largët që jam shumë e sigurt se një pjesë e madhe e studentëve as nuk e kujtojnë dhe dyshoj nëse e kanë aksesuar dhe lexuar këtë informacion në literaturat e librave.
Sot në Tiranë nuk po proteston vetëm opozita, po protestojnë edhe njerëz që ndoshta janë votues të Partisë Socialiste dhe të qeverisë së saj. Çfarë mund t’u thuhet këtyre njerëzve? Çfarë mund të thoni ju për faktin që ata janë të shqetësuar për korrupsionin, për akuzat për korrupsion dhe për cilësinë jo të mirë të shërbimeve publike që ata gjykojnë se është e tillë?
Pranvera Skana: Jam shumë dakord që Shqipërisë i duhen më shumë investime, i duhen më shumë vende pune, më shumë mirëqenie, më shumë mundësi për të rinjtë, por ajo që i duhet më pak Shqipërisë sot është kaosi dhe pasiguria, aq më tepër në këtë moment kur ne jemi vetëm një hap larg familjes evropiane.
Burimi: kohajone.com










