Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka publikuar një deklaratë zyrtare në lidhje me tensionet dhe aktet e dhunshme që kanë ndodhur kohët e fundit në Shqipëri, duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura nga shtetas amerikanë me prejardhje shqiptare.
Në një postim në rrjetet sociale, senatorja Slotkin theksoi se e drejta për protestë dhe përgjegjshmëria e institucioneve përbëjnë shtylla themelore të demokracisë:
“Gjatë ditëve të fundit, kam pritur një sërë telefonatash nga banorë të shqetësuar të Miçiganit në lidhje me përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri, si dhe në vende të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe të kërkojë përgjegjësi nga zyrtarët e tij të zgjedhur.”
Duke iu referuar detyrimeve të ekzekutivit shqiptar, ajo kërkoi respektimin e standardeve ligjore dhe shmangien e çdo forme të përdorimit të tepruar të forcës nga ana e policisë:
“Në të njëjtën mënyrë, qeveria shqiptare ka për detyrë të respektojë sundimin e ligjit, të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. U bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë çdo përpjekje për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara.”
Burimi: sot.com.al









