Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat gjatë ditës së sotme, sulmoi drejtuesin e Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, duke iu referuar pa e përmendur me emër si “profesori” dhe “predikuesi i dhunës”.
Ai pohoi se një grup që e quajti ANTIFA ushtron presion psikologjik mbi protestuesit dhe i pengon ata të pranojnë dialogun.
Rama: Protestuesit e frikësuar nga etiketimi si tradhtarë
Rama tha se kishte komunikuar edhe me telefon me protestuesit dhe i kishte ftuar të bisedonin, por sipas tij ata kishin frikë se do të cilësoheshin si tradhtarë ose do të përballeshin me dhunën e të tjerëve.
Ai pohoi gjithashtu se në protesta kanë marrë pjesë persona me veprimtari kriminale.
“Kam komunikuar dhe me telefon, i kam ftuar dhe ata i ka karakterizuar frika nga njëri-tjetri, dëshira për të folur, por frika nga njëri-tjetri, frika se do të cilësoheshin si tradhtarë, frika se do të pësonin pastaj pasojat e dhunës së të tjerëve, të cilët janë një grup ANTIFA aty, i ideologjizuar nga ‘profesori’ i mirënjohur, ‘predikuesi’ i mirënjohur i dhunës, që e njohin të gjithë dhe nuk dua as ta përmend me emër dhe që kanë një aftësi dhe një kapacitet vërtet të spikatur për të futur të tjerët në terror psikologjik dhe për të detyruar të tjerët që t’i shkojnë nga mbrapa. Pastaj ka pasur dhe një komponent tjetër, komponent kriminelësh, të cilët kanë qenë të pranishëm, njerëz të hurit dhe të litarit që kanë bërë të tyren në atë protestë. Unë jam i bindur që ditët dhe muajt do të sjellin në dritë dëshmi të vetë atyre protestuesve, kur ata të çlirohen nga gjithë ky qerthull i një revolucioni tërësisht imagjinar, pas të cilit qëndrojnë edhe forca që nuk e duan përparimin e Shqipërisë. Kjo është pak, po është shumë e sigurt.”
u shpreh Rama.
Burimi: www.gazetatema.net










