Analisti Martin Leka ka dhënë mendimin e tij për paketën e masave që lidhen me protestat, duke theksuar se ajo duhet të kalojë në Parlament dhe të bëhet pjesë e Kodit Penal ose e vendimeve qeveritare.
Masat ndëshkuese dhe efektet te të rinjtë
Sipas Lekës, masat ndëshkuese, të marra të vetme, nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar dhunën. Analisti u shpreh se këto masa mund të kenë më shumë efekt te të rinjtë, nxënësit dhe adoleshentët nën 18 vjeç, pasi në raste të tilla gjobat mund të rëndojnë mbi prindërit.
Leka tha se Rama duhet ta përsërisë ftesën për dialog, ndërsa edhe protestuesit nuk duhet ta refuzojnë atë.
Dialogu i pashmangshëm mes palëve
Sipas analistit, dialogu do të jetë i pashmangshëm, pavarësisht zhvillimeve, ndaj të dyja palët duhet të angazhohen për të gjetur një zgjidhje.
“Paketa duhet të shkojë në Parlament, të jetë pjesë e Kodit Penal apo e vendimeve qeveritare. Këto masa, pa masa të tjera në praktikë, siç janë, si ka mundësi që një shtet apo institucionet e sigurisë nuk janë në gjendje të kapin dhe neutralizojnë një njeri me kapuç kur ka një mitraloz fishekzjarrësh? Janë disa persona që shteti nuk ka aftësinë t’i identifikojë dhe ndalojë. Këto masa ndëshkuese janë më tepër efektive për të rinjtë, nxënësit dhe adoleshentët nën 18 vjeç.
Do të detyrohen të paguajnë gjobë prindërit. Kjo mund të frenojë adoleshentët, por nuk janë këto që ndalojnë dhunën. Rama bën mirë që ndërmerr masa, duhet të jetë këmbëngulës në faktin, jo me dialog duke bërë disa performanca ku do të lodhë ose veten, ose protestuesit. Rama duhet të përsërisë ftesën për dialog, por protestuesit duhet të mos e refuzojnë dialogun, sepse në çdo rast te dialogu do të shkohet, sido që të jenë ngjarjet. Nuk ka mundësi që në Shqipëri të bëjnë dhe të fusin nën thundër 2 milionë shqiptarë.”
Burimi: abcnews.al










