Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Protesta, Shalsi akuzon parti shqiptare pjesë e Antifës, Nesturi kërkon zgjidhje politike në tryezë

Protesta, Shalsi akuzon parti shqiptare pjesë e Antifës, Nesturi kërkon zgjidhje politike në tryezë

Protesta në Tiranë ka arritur ditën e nëntë, teksa “qetësia” e protestuesve përfundoi shumë shpejt për shkak të akteve të vandalizmit gjatë mbrëmjes së sotme në zonën e “Bulevardit”.

I ftuar në emisionin “Repolitix”, deputeti i Partisë Socialiste Eduart Shalsi deklaroi se ekzistojnë disa raporte sipas të cilave parti shqiptare janë pjesë e Antifës, por këto dyshime duhet të vërtetohen nga qeveria.

“Shpresoj që të provohet se ka parti shqiptare që janë pjesë e ‘Antifës’. Kemi indicie serioze se si forca shqiptare janë të përfshira në këto organizata”, u shpreh ai.

I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga gazetari Bardh Sejdarasi, i cili theksoi se e njihte emrin e partisë në fjalë.

“Ekziston një analizë ndërkombëtare që ka përfshirë një parti si pjesë e ‘Antifa’. Unë e kam parë emrin e partisë, por nuk mund ta bëj publik”, tha ai.

Sipas Sejdarasit, njerëzit kanë të drejtë të protestojnë, por nuk duhet të dëmtojnë bankat dhe bizneset.

“Protestuesit u përpoqën të prishin bankomatet për të marrë paratë, por bankat kanë sisteme sigurie. Dëmet në biznese nuk duhet të kishin ndodhur fare. Jo të gjitha ATM-të janë funksionale. Bankat operojnë me orar të kufizuar derisa të riparohen”, deklaroi Sejdarasi.

Pedagogu Andon Kume vuri në dukje se kjo nuk është një protestë studentore, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për ditën e nëntë të protestës, por për vijimësi të “flamingove”.

“Nuk e di sa efekt do të japë kjo lëvizje e Ramës. Këtë nuk mund ta quajmë protestë studentore. Është një protestë që ka nisur prej disa muajsh. Është një protestë që do të ndryshojë klasën politike”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i PS Eduard Shalsi theksoi se protestat janë e drejtë e qytetarëve, por aktet e dhunës janë të papranueshme. Ai solli si shembull protestat e vitit 2018, duke theksuar se çështja u zgjidh përmes dialogut. Sipas tij, disa nga kërkesat e hartuara në atë kohë nga studentët janë realizuar plotësisht.

“Unë përfaqësoj mazhorancën, por nuk më pengon të respektoj protestën. Janë zëra që duhet të dëgjohen. Protestat duhen respektuar. Në protestën e 2018-ës erdhi një moment kur u paraqitën 8 kërkesa dhe qeveria i shqyrtoi. Ka kërkesa që janë plotësuar 100% dhe të tjera 60%. Dialogu solli konkretizimin e kërkesave. Sot është e trishtueshme të shikosh ato akte në Tiranë. Është e drejta e protestuesve të artikulojnë një kërkesë (dorëheqja e Ramës), por është e drejta jonë ta kundërshtojmë”, tha Shalsi.

Edhe analisti Plator Nesturi u shpreh se kjo nuk është një protestë studentësh. Ai theksoi se nevojitet një zgjidhje politike, por zgjidhjet duhet të shtrohen në tryezë.

“Kjo nuk është çështje studentësh. Mazhoranca duhet të gjejë mjetet e duhura për zgjidhjet politike. Zgjidhjet politike shtrohen në tryezë. Kjo mazhorancë i ka dhënë një hapësirë të jashtëzakonshme për të zgjidhur problemet me korrupsionin”, tha Nesturi.

Nga ana tjetër, Shalsi deklaroi se nga kjo protestë ka njerëz që meritojnë të dëgjohen, por dhuna dhe aktet vandale nuk mund të jenë të planifikuara nga studentët. Sipas Shalsit, studentët nuk mund të dëmtojnë bankat, të djegin bizneset apo Kolegjin e Europës.

“Shqipëria po jeton një moment ku nuk ka qenë kurrë më afër Europës. Ka probleme, padyshim, është për të ardhur keq që kjo protestë shkoi deri në vandalizëm, gjë që minon studentët. Nuk janë protestues ata. Ajo protestë u përdhos me akte vandalizmi. Nuk mund të shkojnë studentë të gostisin Kolegjin e Europës, të dëmtojnë bizneset e bankat. Nuk më duken të rastësishme këto goditje. Nuk mund të bëjnë këto plane studentët. Kur policia ka tejkaluar kompetencat, është pezulluar dhe hetuar. Ka një pjesë të protestuesve që meritojnë të dëgjohen me përulësi, por kjo dhunë nuk mund të shpjegohet”, tha Shalsi.

Shalsi: Në demokraci protestat dhe pakënaqësitë janë bashkëudhëtare, por rruga drejt BE nuk duhet të cenohet

I ftuar në “Repolitix”, deputeti i PS Eduart Shalsi deklaroi se Shqipëria është afër ëndrrës europiane dhe kjo rrugë nuk duhet të cenohet.

“Të gjithë energjitë e kësaj qeverie në këtë periudhë janë përqendruar te ëndrra e kahershme për t’u bashkuar me Europën sa më shpejt. Kjo pjesë e dhunshme po e dëmton atë. Një ministri që digjet, institucion që goditet, punonjësit nuk mund të kenë të njëjtin performancë për të punuar. Sot ëndrra europiane është më afër se kurrë, është e rëndësishme që rruga drejt BE të mos cenohet, prandaj them që nuk është, është çështja e zgjidhjes politike. Vendi ka një kryeministër legjitim, votimet tregojnë që ka marrë një mandat të fortë”, tha Shalsi.

Ai shtoi se protestat dhe pakënaqësitë janë bashkëudhëtare të sistemit demokratik.

“Në demokraci protestat dhe pakënaqësitë janë bashkëudhëtare të sistemit demokratik, por e rëndësishme është që qeveria të mos jetë indiferente ndaj kërkesave të arsyeshme”, theksoi Shalsi.

Burimi: shqiptarja.com

Të fundit Të gjitha