Avokati Redi Ramaj, i ftuar në një studio televizive, komentoi paketën e propozuar nga kryeministri Rama për tubimet pas protestave studentore. Ramaj e përshkruan këtë paketë si një mekanizëm diktatorial që synon të shtypë protestat.
Sipas tij, nëse kjo paketë miratohet, ajo do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese ose nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ai shton gjithashtu se nuk parashikohet asnjë masë, paketë apo përgjegjësi për policët që ushtrojnë dhunë ndaj të miturve ose qytetarëve paqësorë.
Qëndrimi i avokatit Redi Ramaj
Gjobat ndaj pjesëmarrësve në tubime, si dhe thirrjet e policisë për shpërndarjen e turmës, përbëjnë abuzime dhe janë pa kuptim ligjor.
Këto masa merren në një moment tensioni, ndërsa kryeministri ka interes që të mos ketë protesta, përfshirë ato të studentëve që po zhvillohen aktualisht.
Ai po kërkon të shtypë protestat ose të gjejë një mekanizëm ligjor për këtë qëllim. Ky mekanizëm është diktatorial dhe shtypës, dhe nuk duhet zbatuar në këtë situatë.
Nëse kjo kthehet në një paketë ligjore që prek nenin 47 të Kushtetutës, mendoj se do të goditet nga Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Çdo qytetar ka të drejtë të marrë pjesë në tubime.
Nëse kryhen veprime të dhunshme, ato janë përgjegjësi individuale dhe nuk justifikojnë represionin policor ndaj të drejtës për pjesëmarrje në tubime. Njëlloj, është përgjegjësi e policëve që kanë rrahur të mitur dhe kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve që kanë protestuar paqësisht.
Mendoj se kjo është një propagandë e përkohshme e kryeministrit për të tejkaluar një situatë të vështirë. Ajo rrit pakënaqësinë qytetare dhe forcon rrugën drejt autoritarizmit dhe përqendrimit të pushtetit në duart e kryeministrit.
Burimi: sot.com.al










