I ftuar në një program televiziv, gazetari Andi Tela kritikoi qasjen e kryeministrit Edi Rama ndaj protestave në Shqipëri. Sipas tij, trysnia mbi pedagogët, nxënësit dhe prindërit nuk mund të zhdukë pakënaqësinë që ndjehet në shoqëri.
Tela krahasoi protestat shqiptare me ato që janë zhvilluar në Francë, Itali, Belgjikë dhe Portugali, duke theksuar se bëhet fjalë për situata të ndryshme, me shkaqe dhe kërkesa që nuk mund të vihen në të njëjtin nivel.
Ai vuri në dukje se protesta në Shqipëri vazhdon prej më shumë se 130 ditësh, është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe ka pasur kërkesa drejtuar kryeministrit dhe qeverisë.
Deklaroi gjithashtu se përpjekjet për të delegjitimuar protestën dhe presionet ndaj pedagogëve, nxënësve e prindërve nuk e zgjidhin krizën dhe as nuk e largojnë pakënaqësinë e qytetarëve.
«Pedagogët mund t’i kërcënosh. Pedagogët mund të jenë xhelozë me njëri-tjetrin. Mund të kërcënosh nxënësit në klasa. Mund të kërcënosh prindërit e nxënësve. Por ti nuk mund ta shmangësh dot mllefin që ekziston në shoqëri», deklaroi Andi Tela.
«Në këtë pikëpamje janë shumë mirë të informuar se si veprojnë, pastaj është çështje e tyre. Në rast se ne këtu do të duam të krahasojmë protestën që po ndodh në Shqipëri me atë që ka ndodhur në Francë, në Itali, në Belgjikë apo në Portugali, duhet të bëjmë një dallim thelbësor. Pra, ku kanë nisur protestat? Cili është thelbi i protestave në Shqipëri dhe në këto katër vende perëndimore?
Nëse në Shqipëri kemi një protestë, një 130 e ca ditore, paqësore, me numër të jashtëzakonshëm njerëzish dhe me çështje të drejtuara ndaj kryeministrit dhe ndaj qeverisë shqiptare, ndaj kësaj maxhorance, kemi parë që në këtë periudhë të fundit, diku në mes të shtatorit ka nisur një protestë në Francë e nxënësve dhe e studentëve për shkak të kurrikulës dhe të ndihmës mësimore nga pedagogët.
E cila pati dy momente të një proteste ndërkombëtare, por në dy data të veçanta, në 6 dhe në 18 tetor, patëm një protestë në Itali në 18 dhe 19 tetor në tre-katër qytete të veriut të Italisë. Patëm një protestë në Bruksel dhe më tej në Bryzh, por e nisur nga sindikatat në Belgjikë.
Patëm një protestë në Portugali, duke imituar protestën që ishte bërë në Francë për qiratë, edhe atje. Të katërta këto protesta nuk kanë asnjë lidhje me protestën që zhvillohet në Shqipëri. Aktet e dhunës në Paris, edhe në Milano, janë akte dhune të drejtuara ndaj bizneseve, ndaj dyqaneve, ndaj dyqaneve të luksit, të thyera dhe të grabitura.
Përballja atje me policinë ka qenë e ashpër. Por nuk kemi parë në asnjë prej këtyre vendeve skenat që u panë në Shqipëri.
Nuk kishte në qendër të Milanos makinat e ujit dhe gazit lotsjellës, që shpërndante konfliktin nëpër rrugët e tjera të Milanos. Zhvillohej atje, në Piazza Duomo. Atje ishte konflikti, atje ishte gazi lotsjellës, atje ishte përplasja, atje ishin arrestimet. Por nuk kishte policia atje që drejtonte turmën për të marrë rrugët e Milanos siç merrte djathtas, majtas, rrugët e Tiranës.
Si shpërndante gaz lotsjellës në të gjitha këto ambiente. Se si arrestoheshin dhe dhunoheshin qytetarët në Shqipëri. Minorenët në Shqipëri. Nëse ata në Itali, Meloni apo në Francë, Macroni, po diskutojnë dhe po nxjerrin dekret apo vendime qeverie për të marrë masa dhe për t’i ashpërsuar masat ndaj atyre që dhunojnë…
Kryeministri shqiptar mund ta marrë dhe ta imitojë dhe të marrë atë masën e atyre dhe ta vendosë në Shqipëri. Por thelbi për të cilin po përballesh me njerëzit përballë, nuk ka lidhje fare me atë që ndodh në Francë dhe në të tjerët.
Ti duhet t’i përshtatesh këtij realiteti që është në Shqipëri. Ti nuk mundesh dot të injorosh për 130 e ca ditë një protestë paqësore, duke mos realizuar një milimetër të atyre kërkesave, ishin pesë të tilla dhe ti nuk bëre asnjë lëvizje për të plotësuar qoftë njërën prej tyre, dhe për të thënë më pas ok, hajde dialogojmë.
Gjatë këtyre ditëve e anatemohesh plotësisht, e delegjitimove… dhe të njëjtën gjë po përpiqet të bëjë sot me këtë protestë. Të cilën, sigurisht, pedagogët mund t’i kërcënosh. Pedagogët mund të jenë xhelozë me njëri-tjetrin.
Mund të thonë, pse del ky grup i unionit dhe nuk del grupi i tjetër. Mund të kërcënosh nxënësit në klasa. Mund të kërcënosh prindërit e nxënësve. Por ti nuk mund ta shmangësh dot mllefin që ekziston në shoqëri. Dhe pikërisht sepse në këtë shoqëri kërkohet një paqe sociale, kryeministri është ai që duhet të marrë vendimet e duhura për të arritur te ajo që kërkojnë të gjithë», tha Andi Tela.
Burimi: sot.com.al










