Shukri Buja ka deklaruar se do të kërkojë llogari nga ata që, sipas mendimit të tij, e kanë shfrytëzuar politikisht çështjen e rishqyrtimit të ligjit për Gjykatën Speciale, nëse në ditët në vijim del se një proces i tillë nuk mund të kryhet në përputhje me Kushtetutën.
Në një postim të publikuar në Facebook, Buja ka thënë se nuk do të ndalet së kërkuari përgjegjësi nga ata që, sipas tij, kanë luajtur politikisht me protestuesit dhe me të ardhmen e bashkëluftëtarëve të tij.
Kritikat ndaj marrëveshjeve brenda PDK-së
Ai ka kritikuar edhe marrëveshjet politike brenda Partisë Demokratike të Kosovës, duke pretenduar se interesi i shtetit është lënë mënjanë.
“Nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të ndalem derisa secili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta”, ka shkruar Buja.
Ai ka theksuar se, nëse pretendimet e tij vërtetohen, do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata që, sipas tij, e kanë shfrytëzuar këtë çështje për interesa politike.
Reagimi i plotë i Bujës
Nëse në ditët në vijim vërtetohet se e gjithë kjo ishte një lojë politike dhe se rishqyrtimi i këtij ligji nuk mund të realizohet në përputhje me Kushtetutën, atëherë unë do të jem ushtari që nuk do të ndalet së kërkuari përgjegjësi.
Përgjegjësi nga ata që e përdorën këtë çështje për lojëra politike, duke luajtur me të gjithë protestuesit që ishin çdo natë aty dhe me të ardhmen e bashkëluftëtarëve të mi.
Përgjegjësi nga ata që, në vend të interesit të shtetit, zgjodhën marrëveshjet politike brenda Partisë Demokratike. Nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të ndalem derisa secili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta.
Burimi: www.gazetaexpress.com










