Familjet në Britani po inkurajohen të grumbullojnë ujë në shishe, ushqime të konservuara dhe mallra të tjera bazë, si masë paraprake për situata emergjente, ndërsa rritet shqetësimi për kushtet ekstreme të motit, sulmet kibernetike dhe ndërprerjet e mundshme në zinxhirin e furnizimit me ushqim.
Apeli i kryeministrit për përgatitje
Gjatë fjalës së tij në një samit mbi rezistencën ndaj zjarreve në Liverpool, kryeministri britanik Andy Burnham deklaroi se qytetarët duhet të ndërmarrin hapa të arsyeshëm për të garantuar furnizime të mjaftueshme në banesat e tyre, në mënyrë që të përballen me situata të vështira gjatë stuhive që prekin pjesë të vendit.
Ai vuri në dukje se “ngjarjet e papritura duket se po bëhen gjithnjë e më të zakonshme” dhe shtoi: “nuk bëhet fjalë për blerje nga paniku… Është thjesht çështje e marrjes së masave të arsyeshme për të pasur mjaftueshëm në shtëpi për t’ia dalë mbanë nëse krijohet një situatë e vështirë”.
Rekomandimet zyrtare këshillojnë familjet të sigurojnë furnizime bazë për të paktën tre ditë, duke përfshirë nëntë litra ujë për person dhe ushqime që nuk prishen, si mishi i konservuar, perimet dhe frutat e thata.
Udhëzimet përfshijnë gjithashtu mbajtjen e një radioje FM me bateri ose me dore, një elektrik dore, batanije, një kuti të ndihmës së shpejtë, dezinfektues duarsh, peceta të lagura, artikuj tualeti dhe një karikues portativ.
Familjeve u rekomandohet gjithashtu të mbajnë para në dorë në rast se sistemet elektronike të pagesave nuk funksionojnë, së bashku me kopje të dokumenteve të rëndësishme dhe furnizime thelbësore për foshnjat dhe kafshët shtëpiake.
Rreziqet për zinxhirin e furnizimit
Këshilla vjen pasi Zyra Kombëtare e Auditimit paralajmëroi se zinxhiri i furnizimit me ushqim i Britanisë përballet me rreziqe në rritje nga sulmet kibernetike dhe kriza klimatike, duke vlerësuar se Departamenti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale nuk ka bërë mjaftueshëm në vitet e fundit për të forcuar rezistencën.
Megjithatë, Burnham hodhi poshtë pretendimet se qeveria nuk është përgatitur në mënyrë adekuate.
Ai theksoi nevojën për një përgatitje më të gjerë publike përballë ngjarjeve të papritura gjithnjë e më të shpeshta, përfshirë motin e keq dhe ndërprerjet e energjisë elektrike. /AA/
Burimi: insajderi.org









