Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Kongresmenia e majtë kërkon fundin e dhunës dhe kritikon qeverinë shqiptare për protestën

Kongresmenia e majtë kërkon fundin e dhunës dhe kritikon qeverinë shqiptare për protestën

Kongresmenia amerikane Alexandria Ocasio-Cortez, e cilësuar si një figurë në rritje e së majtës, i ka kërkuar qeverisë shqiptare të qetësojë situatën dhe të ndalojë atë që ajo e quan shtypje të dhunshme ndaj protestuesve.

Alexandria Ocasio-Cortez

Në një postim të publikuar në rrjetin social X, Ocasio-Cortez deklaroi se gjatë javës së kaluar ka marrë mesazhe nga anëtarë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë shprehur shqetësim për sigurinë e familjarëve të tyre në Shqipëri.

“Po i bëj thirrje qeverisë shqiptare të ulë tensionet dhe të ndalojë shtypjen e dhunshme ndaj protestuesve, si dhe të respektojë lirinë e shprehjes së shqiptarëve”, shkroi kongresmenia amerikane.

Reagimi i saj vjen në një periudhë kur në Shqipëri vazhdojnë protestat e të rinjve, ndërsa situata është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë.

Ritchie Torres

Edhe kongresmeni amerikan Ritchie Torres ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X në lidhje me dhunën ndaj protestuesve në Shqipëri, duke kërkuar ndalimin e veprimeve të policisë dhe uljen e tensioneve.

Torres u shpreh se është jashtëzakonisht i shqetësuar për shpërthimin e dhunës ndaj protestuesve, ndërsa i cilësoi veprimet e policisë shqiptare si të papranueshme.

“Shqiptarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë paqësore, policia duhet të respektojë të drejtën e protestuesve për të protestuar dhe të ruajë shtetin e së drejtës”, shkroi kongresmeni amerikan.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për shtensionimin e situatës dhe ndalimin e dhunës, duke kërkuar që zhvillimet në Shqipëri të mos përshkallëzohen më tej.

Ritchie Torres përfaqëson distriktin e 15-të të New Yorkut në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, që përfshin një pjesë të Bronxit.

 

j.l./ dita

Burimi: gazetadita.al

Të fundit Të gjitha