Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Politikë

Deputetja e PS Muzhaqi zbulon paketën e masave për të rinjtë

Deputetja e PS Muzhaqi zbulon paketën e masave për të rinjtë

Deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, deklaroi se dhjetë ditët e protestës kanë nxjerrë në pah disa probleme që kërkojnë zgjidhje. Sipas saj, të rinjtë duhet të dëgjohen, por pa u përdorur dhuna si mjet.

Bora Muzhaqi për protestat dhe të rinjtë

Ju keni drejtuar më parë një dikaster që merrej me rininë dhe aktivitetet e saj. Së pari, çfarë ju kanë thënë personalisht këto dhjetë ditë protestë?

Bora Muzhaqi: Mendoj se këto dhjetë ditë i kanë thënë shumë gjëra jo vetëm mua, por gjithë shqiptarëve. Së pari, kemi punë për të bërë për studentët, ka një sërë sfidash që duhen zgjidhur në lidhje me ta. Së dyti, duhet të jemi shumë të kujdesshëm me të rinjtë tanë, si në shkollë ashtu edhe në shoqëri e në familje, sepse qartësisht kemi lejuar që të rinjtë tanë të përdoren. Kjo shihet vazhdimisht kur minorenët janë në krye të protestës dhe janë ata të rinjtë me kapuça në kokë duke kryer akte dhune. Mendoj se diku, dikush, ndoshta të gjithë bashkë si shoqëri, kemi dhënë një mesazh se dhuna është diçka që mund të bëhet dhe nuk e shohim si problematike.

Mendoj se pikërisht këtu duhet të ndalemi dhe këtë duhet ta themi me zë të lartë. Jo vetëm ne që jemi të angazhuar në politikë, por edhe ju që jeni pjesë e medias duhet ta thoni me zë të lartë se dhuna nuk është kurrë zgjidhje dhe nuk është zgjidhje për asnjë lloj çështjeje. Duhet patjetër t’i rikthehemi dialogut, duhet patjetër të diskutojmë me të rinjtë. Jam e bindur dhe e njoh shumë mirë sfidat që ata kanë, kam takuar të rinj nga Konispoli në Tropojë gjatë punës sime të mëparshme dhe e di shumë mirë se ka sfida që duhen zgjidhur, por sfidat nuk zgjidhen me gurë, zgjidhen duke folur e duke diskutuar. Prandaj besoj fort se të rinjtë do të gjejnë guximin ta shprehin mendimin e tyre me zë të lartë, por pa dhunë dhe pa përdorimin e mjeteve që kemi parë gjatë kësaj periudhe.

Ky dialog ende nuk ka filluar, edhe pse qeveria ka bërë thirrje të përditshme dhe po i bën edhe kryeministri Rama. Megjithatë, kemi njoftime se janë disa lëvizje që po bëhen ndoshta në orët e fundit: qeveria është duke marrë disa masa me karakter ekonomik në lidhje me studentët. Mund ta konfirmoni dhe për çfarë bëhet fjalë?

Bora Muzhaqi: Diçka që qeveria ka bërë gjithmonë për të rinjtë është planifikimi i një sërë masash që janë ndërmarrë vazhdimisht. Unë e di se aktualisht kolegët janë duke punuar për një paketë masash. Në dijeninë time, paketa e masave që do të jetë në përputhje me kërkesat e të rinjve nuk është finalizuar ende. E di se kanë shpallur disa prej tyre, si për shembull “paketa e strehimit”, e cila u ofron mundësinë të gjithë të rinjve të marrin një mbështetje për qiranë e tyre deri në 50 përqind të vlerës. Është një pjesë tjetër që është komponenti për çiftet e reja që i lejon mundësinë të marrin një kredi me zero interes nga bankat. Sigurisht është edhe pjesa që lidhet me ata që kanë nevoja të mëtejshme, ku është deri në 3 përqind interesi nga banka.

Kjo e di se është shpallur. Megjithatë, nuk duhet harruar se ka edhe një sërë programesh që lidhen me punësimin e të rinjve, siç është “programi i garancisë rinore” që ka filluar tashmë në të gjithë Shqipërinë dhe ka si fokus kryesor ofrimin e një oferte pune ose një mundësie trajnimi ose zhvillimi të mëtejshëm të të rinjve brenda katër muajve nga aplikimi. Ky është program i Bashkimit Evropian, aktualisht i zbatueshëm në Shqipëri. Besoj se nëse do të ketë një masë të mëtejshme nga ana e qeverisë, do të jetë në kuadër të fuqizimit të këtij programi në mënyrë që të rinjtë ta gjejnë më shumë veten të përfaqësuar në tregun e punës pasi përfundojnë shkollimin. Por nga ana tjetër, nuk mund të lë pa përmendur edhe një nga programet që kolegja përmendi para disa ditësh, që është edhe shkalla e meritës.

Mendoj se ajo do të ketë një komponent shumë të rëndësishëm për të rinjtë sepse do të krijojë më shumë transparencë, më shumë meritokraci dhe më shumë vlerësim të aftësive që ata kanë, sidomos për pjesën e punës në administratë. Patjetër është edhe faqja e AKPA-së, puna.gov.al, e cila besoj do të ketë mundësinë të forcohet edhe më tej për t’u ofruar të rinjve mundësi punësimi jo vetëm në sektorin publik, por edhe në sektorin privat të targetuar sipas aftësive dhe njohurive që ata kanë. Me këto tre komponentë që unë personalisht besoj se do të zhvillohen edhe më tej, qeveria do të bëjë ndryshime në kuadër të adresimit të problematikave kyçe që kemi dëgjuar në protestë. Sepse problematika e parë që ju e thatë është dorëheqja, ajo nuk është fiks një kërkesë që mund të adresohet.

Masat e qeverisë dhe qëndrimi ndaj dhunës

Protesta sigurisht e dimë se nuk ka vetëm në Shqipëri, ka në disa vende të Evropës, edhe në vendin fqinj në Itali, më tej në Francë, dhe aktet e dhunës gjithashtu janë verifikuar edhe në këto vende. Ka folur sot kancelari gjerman Merz në samitin e Malit të Zi në Budva pikërisht për dhunën, dhe mund ta citoj: ka thënë se “dhuna nuk duhet të jetë kurrë opsion për asnjë palë”*. Si përkthehet ky mesazh, nëse mund të përkthehet për ne, për Shqipërinë?

Bora Muzhaqi: Mendoj se përkthimi është shumë i qartë: duhen marrë masa si për protestuesit që janë kthyer në dhunues, por sigurisht duke mbajtur përgjegjës edhe policët në rastet kur ata kanë tejkaluar ligjin. Kjo është shumë e qartë. Besoj se edhe qeveria edhe kolegët e mi të mazhorancës kanë qenë shumë të drejtpërdrejtë për sa i përket kësaj pjese. Diçka që bën përshtypje në Shqipëri është fakti se jemi nga të paktat vende që kanë aktualisht protesta ku lideri i opozitës jo vetëm që nuk e dënon dhunën që po ndodh, por bën të kundërtën dhe thotë se “unë jam pjesë e dhunës dhe jam pro dhunës”. Kjo ndoshta është habia më e madhe në Shqipëri. /Vizion Plus/

Burimi: kohajone.com

Të fundit Të gjitha