Me rastin e 50-vjetorit të themelimit të tij, Muzeu Ludwig në Këln po e rishikon koleksionin e mirënjohur të artit modern nëpërmjet një këndvështrimi antiracist, duke vënë në dyshim mënyrën se si janë ndërtuar kanonet artistike dhe si janë caktuar kufijtë mes qendrës dhe periferisë në historinë e artit.
Ekspozita “Along the Color Line – Traces of a Transatlantic Modernity” nxjerr në pah veprat dhe historitë e artistëve me ngjyrë, duke i vënë ato në bashkëbisedim me koleksionin që muzeu ka tashmë. Nëpërmjet këtij ndërthurjeje, kuratori Eboa Itondo shqyrton boshllëqet historike në përfaqësimin e artistëve afroamerikanë dhe rolin që institucionet kulturore kanë luajtur në përcaktimin e asaj që quhet art kanonik.
Historia e koleksionit dhe dhurimi i vitit 1946
Pika e nisjes së këtij rishikimi lidhet me historinë e koleksionit të muzeut. Në vitin 1946, dhurimi i veprave nga Josef Haubrich ndihmoi në plotësimin e koleksionit të artit modern të qytetit, sidomos me vepra që regjimi nazist i kishte etiketuar si “art i degjeneruar”. Sidoqoftë, artistët me ngjyrë mbetën jashtë këtij procesi, një mungesë që ekspozita synon ta bëjë të dukshme.
Titulli i ekspozitës i referohet konceptit të “vijës së ngjyrës”, të formuluar nga sociologu, historiani dhe aktivisti amerikan W. E. B. Du Bois në fillim të shekullit XX. Përmes studimeve dhe paraqitjeve vizuale, Du Bois dokumentoi kushtet shoqërore, arsimore dhe ekonomike të afroamerikanëve, duke i kundërshtuar stereotipat raciste me të dhëna dhe fakte. Kuratori Itondo e përdor këtë qasje për të shqyrtuar mënyrën se si koleksionet dhe ekspozitat përcaktojnë se cilët artistë vendosen në qendër të historisë së artit dhe cilët mbeten në margjina.
Veprat e artistëve me ngjyrë pranë modernizmit evropian
Një nga ndërhyrjet kryesore të ekspozitës është vendosja e veprave të artistëve me ngjyrë pranë krijimeve të njohura të modernizmit evropian. Piktura “Gold Earrings” e Laura Wheeler Waring, e realizuar më 1940, ekspozohet pranë një autoportreti të Paula Modersohn-Becker, ndërsa natyrat e qeta të Waring dhe Maria Marc vihen në dialog përmes objekteve që shfaqen në to. Kjo mënyrë prezantimi i trajton veprat si pjesë të së njëjtës hapësirë artistike, pa krijuar hierarki mes koleksionit të muzeut dhe veprave të huazuara.
Një vepër tjetër që tërheq vëmendjen është “Dark Rapture (James Baldwin)” e Beauford Delaney, e vitit 1941, ku shkrimtari James Baldwin paraqitet përmes një ndërthurjeje ngjyrash vjollcë, blu, të kuqe-kafe dhe të gjelbra. Piktura vendoset përballë veprave të Pablo Picassos dhe Max Beckmannit, duke krijuar një dialog mes artistëve që kanë formësuar tradita të ndryshme të modernizmit.
Ekspozita ndalet edhe te historia e koleksionit të krijuar nga Peter dhe Irene Ludwig, të cilët në vitin 1976 kontribuuan në themelimin e muzeut përmes një dhurimi prej 350 veprash. Koleksionistët luajtën rol të rëndësishëm në afirmimin e artit pop amerikan në Këln, por kuratori ngre pyetjen se përse ky shkëmbim artistik transatlantik nuk përfshiu në të njëjtën masë skenën kulturore të Harlemit, një prej qendrave më të rëndësishme të krijimtarisë afroamerikane.
Në këtë kontekst paraqitet edhe vepra e Betye Saar, figurë qendrore e lëvizjes Black Art, koleksioni i së cilës përfshin portretin “Mother Catherine”, të blerë nga muzeu në vitin 2020. Përmes këtyre shembujve, ekspozita jo vetëm evidenton boshllëqet e së kaluarës, por edhe shqyrton përpjekjet e mëvonshme të institucioneve për t’i korrigjuar ato.
Një pjesë e rëndësishme e projektit i kushtohet edhe artistëve me ngjyrë që kanë jetuar dhe krijuar në Gjermani. Herbert Gentry, i cili u zhvendos në Paris më 1946, paraqitet përmes veprës “Paris – New York”, të vitit 1977, që pasqyron lëvizjen e tij mes dy qendrave artistike. Ndërkaq, Mildred Thompson u kthye në Gjermani më 1964, pasi nuk arriti të gjente një galeri në Shtetet e Bashkuara që të përfaqësonte punën e saj. Në qytetin Düren, ajo krijoi vepra prej druri, duke përdorur damarët dhe unazat vjetore të materialit si gjurmë të kohës dhe të natyrës. Muzeu Ludwig bleu një nga këto vepra në vitin 2025.
Ekspozita përfshin gjithashtu instalacione të artistit bashkëkohor James Gregory Atkinson, i cili mbledh dhe dokumenton gjurmë të jetës së njerëzve me ngjyrë në Gjermaninë Perëndimore të pasluftës. Përmes fotografive, objekteve arkivore, lodrave dhe materialeve të tjera, ai ndërton një rrëfim mbi përvojat e afroamerikanëve dhe gjermanëve me ngjyrë, të cilët shpesh kanë mbetur jashtë narrativave dominuese të historisë së vendit.
Duke ndërthurur artin, dokumentacionin historik dhe praktikën kuratoriale, “Along the Color Line” e trajton muzeun jo vetëm si hapësirë ekspozimi, por edhe si institucion që merr pjesë në formësimin e kujtesës kulturore. Pyetja që shtron ekspozita nuk lidhet vetëm me veprat që janë mbledhur ndër vite, por edhe me ato që kanë munguar dhe me mënyrën se si kjo mungesë ka ndikuar në përfytyrimin tonë për modernizmin.
Ekspozita “Along the Color Line – Traces of a Transatlantic Modernity” qëndron e hapur në Muzeun Ludwig në Këln deri më 7 mars 2027./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










