Krimi i organizuar është jashtëzakonisht i kënaqur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Prandaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura në projektet e rezorteve elitare të Ramës
Nga Blendi Kajsiu
Degradimi i një pushteti është në proporcion të drejtë me gënjeshtrat që prodhon. Sa më i madh degradimi, aq më e madhe gënjeshtra. Këtë e vërtetoi edhe deklarata e fundit e kryeministrit Rama se protestat i organizon dhe financon krimi i organizuar dhe Antifa. Ndër broçkullat propagandistike të kryeministrit, këto të dyja janë pa dyshim po aq spektakolare sa degradimi politik dhe moral i pushtetit të tij.
Antifa nuk ekziston si organizatë
Le të fillojmë me Antifa-n, që në fakt nuk ekziston as si organizatë dhe as si institucion. Është thjesht një emërtim, siç është Revolucioni i Flamingove, i një lëvizjeje politike të decentralizuar të majtë, radikale, anti-fashiste. Antifa nuk ekziston si organizatë, ndaj nuk mund të shpallet si organizatë terroriste.
Në këtë aspekt është shumë e ndryshme nga organizata terroriste iraniane Mujahedeen-e-Khalq (MEK), që njihet edhe me emrin Muxhahedinët e Iranit, të cilën qeveria e Ramës e strehon midis Durrësit dhe Tiranës. MEK ka një lidership, buxhet, anëtarësi dhe strukturë të qartë hierarkike. Ashtu sikurse dhe një histori të gjatë aktesh terroriste, vrasjesh dhe dhune nëpër botë.
Antifa, nga ana tjetër, nuk ka një udhëheqje qendrore, nuk ka anëtarësi formale, nuk ka buxhet, nuk ka një strukturë organizative apo degë që mund të koordinohen në mënyrë të strukturuar mes tyre. Kushdo mund të dalë dhe të thotë “unë jam Antifa”, dhe nuk ka mënyrë ta vërtetosh.
E thënë ndryshe, Antifa nuk është e aftë të organizojë vetveten, e jo më protestën apo revoltën rinore në Shqipëri. Aq më tepër kur shumica dërrmuese e popullatës dhe rinisë shqiptare as nuk e ka idenë se çfarë është Antifa apo ideologjia e saj. Ndaj të pretendosh se revolta rinore po organizohet, frymëzohet apo financohet nga Antifa është absurditet.
Lidhja e Ramës me administratën Trump
Atëherë përse kryeministri Rama insiston te një absurditet si Antifa? Për të njëjtën arsye se përse insiston tek dhurimi i Sazanit dhe Zvërnecit. Për t’u bërë qejfin familjes Trump. Donald Trump e urren Antifën dhe e ka kthyer atë në simbol të radikalizmit të majtë që, sipas tij, po i vë flakën SHBA-ve.
Pra kryeministri Rama ka vendosur sot të dhunojë të vërtetën për të përfituar mbështetje politike nga administrata Trump. Është e njëjta logjikë që e shtyu dje të dhunojë integritetin tonë territorial duke i dhuruar Sazanin dhe Zvërnecin familjes Trump, në shkëmbim të mbështetjes politike.
Është ky komunikim, jo me qytetarët por me Trump-in, që e ka shkëputur kryeministrin nga realiteti shqiptar. Ndaj ai tashmë pretendon se pas protestave është krimi i organizuar. Edhe pse qytetarët, madje edhe militantët më socialistë, e kanë të qartë që krimi i organizuar në Shqipëri historikisht shkrihet me pushtetin dhe jo me protestën qytetare.
Krimi i organizuar është jashtëzakonisht i kënaqur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Prandaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura në projektet e rezorteve elitare të Ramës.
Përndryshe do na duhej të besonim se pas revoltës së rinisë dhe protestave sociale qëndron Artur Shehu që po legalizon pronat me projektin e Zvërnecit, Tan Lepri, Ergys Agasi apo krimi i organizuar i Elbasanit që deri tani ka prodhuar deputet për Ramën.
Në fakt nuk ka asgjë për t’u çuditur në fabulën gjithnjë e më absurde të kryeministrit. Sa më i madh degradimi politik, aq më shumë ai projektohet tek kundërshtari. Askush nuk e ka kritikuar mungesën e demokracisë dhe lirisë në Perëndim më shumë se Enver Hoxha. Askush nuk e ka denoncuar autoritarizmin e PS-së më shumë se Sali Berisha.
Sot i ka ardhur radha Edi Ramës të denoncojë revoltën qytetare për lidhje me krimin e organizuar, terrorizmin dhe narkotrafikun. Mos u çudisni kur së shpejti të fillojnë denoncimin e protestës qytetare si institucion ku bëhet pastrim parash dhe prodhohet kulti i individit./ Marrë nga Lapsi.al
Burimi: gazetashqiptare.al










