Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka akuzuar mazhorancën socialiste për indiferencë ndaj protestave dhe dhunës policore, ndërkohë që deputetët vijojnë punimet parlamentare dhe votojnë ligje sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Sipas tij, mazhoranca ka hequr dorë nga përgjegjësia për të përfaqësuar qytetarët, duke vepruar vetëm sipas vullnetit të Edi Ramës.
Reagimi i plotë i Muçollarit
Zgjedhja për të mos qenë deputet!
Shqipëria prej dhjetë ditësh ndodhet në revoltë. Të rinjtë përballen me dhunën policore, tensionet përshkallëzohen dhe vendi rrezikon të hyjë në një konflikt me pasoja të rënda.
Por maxhoranca parlamentare jeton në një realitet tjetër. Mes kaosit dhe përpjekjeve të opozitës për të penguar seancën, një reagim legjitim për të mos lejuar absurdin e të sjellurit silur asgjë s’po ndodh. Por deputetët e Edi Ramës vijuan rendin e ditës dhe votuan ndryshime ligjore. Sikur të ishin deputetët e një vendi tjetër.
Një deputet mund të zgjedhë të mbrojë qeverinë. Mund të mbrojë pamundësinë për të luftuar korrupsionin. Por nuk mund të zgjedhë të mos jetë deputet!
Nuk mund të heshtë përballë asaj që ndodh në vend dhe të sillet sikur mandati i tij është thjesht një karton votimi në shërbim të Kryeministrit.
Por pikërisht këtë ka zgjedhur kjo maxhorancë. Të shohë atë që do Edi Rama. Të dëgjojë atë që do Edi Rama. Të votojë atë që urdhëron Edi Rama.
Një Parlament pa ndërgjegje, pa përgjegjësi dhe pa vullnet për të përfaqësuar, e ka humbur arsyen politike të ekzistencës.
Shqipëria nuk ka nevojë për deputetë që zgjedhin të mos jenë deputetë. Ka nevojë për një Parlament të ri.
Burimi: gazetashqiptare.al










