Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Opinion

Nevoja për rishikimin e dispozitës kalimtare të projektligjit të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale

Nevoja për rishikimin e dispozitës kalimtare të projektligjit të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale

Nga Ilir Beqaj

Unë nuk jam jurist. Por kam një përvojë shumëvjeçare në zbatimin e të drejtës administrative dhe prej tre vjetësh kam një përvojë intensive me procedurën penale shqiptare. Prandaj po marr shkas të shkruaj sa vijon.

Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, të bëra publike më 30 shtator 2026, përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të forcimit të garancive procedurale, veçanërisht për marrjen, administrimin dhe përdorimin e provave digjitale në procesin penal.

Një nga risitë më të rëndësishme është krijimi i një regjimi të posaçëm për aksesin në komunikimet elektronike dhe informacionet private të ruajtura në telefona, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike.

Projektligji synon të përcaktojë më qartë kompetencat e organeve proceduese, kushtet e autorizimit gjyqësor, kufijtë e ndërhyrjes në jetën private, detyrimet për ruajtjen e integritetit të të dhënave dhe mundësitë e kontrollit gjyqësor mbi mënyrën e administrimit të tyre.

Këto ndryshime duhen përshëndetur.

Megjithatë, dispozita kalimtare e nenit 105 të projektligjit ngre një problem juridik që meriton një diskutim të veçantë publik dhe institucional, përpara miratimit përfundimtar të projektligjit.

Problemi që krijon formulimi aktual i nenit 105

Në paragrafin e fundit të nenit 105, projektligji parashikon:

Aktet dhe provat e siguruara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji ruajnë vlefshmërinë e tyre dhe mund të përdoren në çdo procedim në vijim ose të mëvonshëm, me kusht që të jenë mbledhur në përputhje me ligjin në fuqi në momentin e sigurimit të tyre, pavarësisht rregullimeve të ndryshme të sjella nga ky ligj i ri.

Në pamje të parë, dispozita synon të mbrojë një parim të njohur të së drejtës procedurale: aktet e kryera ligjërisht sipas legjislacionit të kohës nuk zhvlerësohen automatikisht për shkak të ndryshimeve të mëvonshme të ligjit.

Ky është një parim i rëndësishëm i sigurisë juridike dhe nuk ka arsye të vihet në diskutim.

Por problemi qëndron diku tjetër.

A mund të përdoret kjo dispozitë për të konsideruar të ligjshme prova digjitale të marra në të kaluarën, në kundërshtim me garanci juridike që ekzistonin tashmë, vetëm sepse projektligji i vitit 2026 i formulon ato në mënyrë më të qartë dhe më të hollësishme?

Nëse kjo mundësi nuk përjashtohet shprehimisht, ekziston rreziku që një dispozitë e hartuar për të garantuar sigurinë juridike të përdoret për të shmangur kontrollin e ligjshmërisë së provave të marra më parë.

Garanciet për provat digjitale nuk lindin për herë të parë në vitin 2026

Ky është elementi themelor që duhet të udhëheqë diskutimin.

Një pjesë e konsiderueshme e garancive që projektligji synon të konkretizojë kanë ekzistuar në rendin juridik shqiptar shumë përpara vitit 2026.

Së pari, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht nenet 6 dhe 8, garanton të drejtën për proces të rregullt dhe mbrojtjen e jetës private e të korrespondencës.

Së dyti, Konventa e Budapestit për Krimin Kibernetik, e vitit 2001, e ratifikuar nga Shqipëria, përmban dispozita të posaçme për marrjen e provave elektronike.

Neni 14, paragrafi 2, shkronja «c», i kësaj Konvente përcakton shprehimisht se kompetencat procedurale të saj shtrihen te mbledhja e provave në formë elektronike për çdo vepër penale, jo vetëm për krimet kompjuterike.

Neni 15 kërkon që ushtrimi i këtyre kompetencave të shoqërohet me kushte dhe garanci të përshtatshme, përfshirë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe proporcionalitetin.

Ndërsa neni 19 parashikon kompetenca për kontrollin, aksesimin, kopjimin dhe sekuestrimin e të dhënave kompjuterike, duke përfshirë masa për ruajtjen e integritetit të tyre.

Pra, ekzistenca e një regjimi juridik për marrjen e ligjshme të provave digjitale nuk është një zhvillim që fillon me projektligjin e vitit 2026.

Jurisprudenca shqiptare ka përcaktuar tashmë standarde për provat digjitale

Përveç detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare, rëndësi të veçantë ka jurisprudenca shqiptare.

Vendimi njësues nr. 147, datë 23 dhjetor 2021, i Gjykatës së Lartë, përbën një pikë referimi për interpretimin e dispozitave mbi sekuestrimin e të dhënave kompjuterike.

Rëndësia e tij qëndron te kërkesa që ndërhyrja në të dhënat elektronike të vlerësohet në raport me kushtet ligjore të sekuestrimit, lidhjen e të dhënave me objektin e hetimit dhe domosdoshmërinë e tyre për vërtetimin e fakteve.

Po kështu, jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka trajtuar probleme që lidhen me sekuestrimin e pajisjeve elektronike, mbrojtjen e korrespondencës, privatësinë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjes.

Në këtë drejtim, vëmendje meritojnë çështja e gazetarit Elton Qyno, për të cilën Gjykata Kushtetuese njoftoi vendimmarrjen më 22 prill 2025, çështja Oneida Ymeraj, si dhe çështja Vladimir Vladimirov, në të cilën më 29 qershor 2026 Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën, shfuqizoi vendimin përkatës të Gjykatës së Lartë dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.

Këto zhvillime tregojnë rëndësinë e kontrollit gjyqësor dhe kushtetues mbi ndërhyrjet në të dhënat elektronike.

Për rrjedhojë, gjatë vlerësimit të një prove të marrë përpara se të hyjnë në fuqi ndryshimet e mundshme të Kodit të Procedurës Penale, gjykata nuk mund të kufizohet vetëm te konstatimi se dispozitat e reja të projektligjit nuk ekzistonin në atë kohë.

Ajo duhet të shqyrtojë nëse marrja e provës respektonte standardet juridike që ishin tashmë të zbatueshme.

Rëndësia e zhvillimeve të fundit europiane

Në këtë diskutim duhen marrë në konsideratë edhe dy zhvillime të rëndësishme ndërkombëtare.

Protokolli i Dytë Shtesë i Konventës së Budapestit, i vitit 2022, plotëson Konventën origjinale me mekanizma të rinj për sigurimin e provave elektronike dhe me garanci më të hollësishme për mbrojtjen e të dhënave personale.

Veçanërisht nenet 13 dhe 14 trajtojnë kushtet dhe garancitë, kufizimin e qëllimit, sigurinë, cilësinë, ruajtjen dhe mbrojtjen e të dhënave personale të transferuara sipas Protokollit.

Shqipëria e ka nënshkruar këtë Protokoll më 27 shkurt 2023, por nuk rezulton ta ketë ratifikuar. Për këtë arsye, dispozitat e tij nuk mund të trajtohen si detyrime të drejtpërdrejta procedurale për Shqipërinë, por kanë rëndësi si standarde krahasuese. Ndërkohë që pas 3.5 vjetësh nga nënshkrimi është e pakuptimtë se përse shteti shqiptar nuk e ratifikon këtë Protokoll.

Ndërkohë, Rregullorja (BE) 2023/1543, e zbatueshme nga 18 gushti 2026, konkretizon më tej kërkesat për domosdoshmërinë, proporcionalitetin, kontrollin gjyqësor dhe të drejtën për kundërshtim efektiv në mekanizmin europian të prodhimit dhe ruajtjes së provave elektronike.

Edhe kjo rregullore ka një fushë të posaçme zbatimi dhe nuk zbatohet drejtpërdrejt në Shqipëri.

Megjithatë, të dy instrumentet dëshmojnë një zhvillim të rëndësishëm të standardeve juridike europiane: mbrojtja e të drejtave themelore duhet të shoqërojë jo vetëm marrjen fillestare të të dhënave elektronike, por edhe trajtimin e tyre sipas mekanizmave përkatës.

Dallimi ndërmjet marrjes së ligjshme dhe përdorimit të ligjshëm

Burimi: www.gazetatema.net

Të fundit Të gjitha