Shkruan: Artan Nimani
Nuk është e pranueshme të veprohet me kaq lehtësi në çështje kaq delikate: të miratohet një ligj dhe, vetëm dy javë më pas, të kërkohet rikthimi i tij në Kuvend, pa dhënë një arsyetim të qartë për publikun. Kjo nuk përbën thjesht një paqartësi politike; është mungesë përgjegjësie që kërkon llogaridhënie.
Pyetjet për PDK-në
PDK-ja duhet t’i përgjigjet hapur opinionit: a nuk i njihte arsyet që sot po i përdor për të kundërshtuar ligjin, në momentin kur e votoi atë? Nëse i njihte, atëherë votimi ishte i papërgjegjshëm. Nëse nuk i njihte, duhet të shpjegojë se si merr vendime për çështje kaq të rëndësishme pa i vlerësuar pasojat.
Çështja e Dhomave të Specializuara nuk mund të shndërrohet në terren për improvizime politike, as dinjiteti i luftës së UÇK-së nuk mund të përdoret si mbulesë për gabime që askush nuk dëshiron t’i pranojë. Për çështje të tilla nuk mjaftojnë deklaratat e vonuara, arsyetimet e paqarta dhe ndryshimi i qëndrimeve sipas rrethanave.
Kërkohet llogaridhënie
PDK-ja duhet të bëjë të qartë se çfarë qëndron pas këtij ndryshimi qëndrimi dhe kush mban përgjegjësinë për të. Qytetarët nuk kanë nevojë për lojëra politike, por për të vërtetën.
Marrëzia ka emër, ndërsa përgjegjësia politike ka adresë. Kush merr vendime të tilla duhet të ketë guximin të dalë para qytetarëve dhe të japë llogari. Historia e UÇK-së dhe dinjiteti i çlirimtarëve janë shumë të shenjtë për t’u trajtuar me kaq lehtësi politike.
Burimi: insajderi.org









