Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Opinion

Pesë ditë në Izrael

Pesë ditë në Izrael

Shkruan: Enver Hasani

Falë ftesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit dhe mbështetjes së Qendrës për Ndikimin Hebraik (Center for Jewish Impact – CJI), në periudhën 11–16 tetor 2026 pata rastin të merrja pjesë në një vizitë studimore në Izrael, si anëtar i një delegacioni të gjerë me përfaqësues të vendeve ish-komuniste, përfshirë Kosovën. Vetë emërtimi i vizitës ishte Legal Delegation to Israel, pasi në të merrnin pjesë ekspertët më të njohur të vendeve ish-komuniste të Ballkanit dhe më gjerë.

Programi ishte jashtëzakonisht i ngjeshur dhe i pasur me informacion, duke na dhënë mundësinë të shihnim nga afër ankthin me të cilin jeton një popull që ka kaluar nëpër Holokaust dhe mënyrën se si jehona e kësaj tragjedie njerëzore ndikon e përcakton shumë aspekte të politikës së jashtme të këtij vendi miku të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi.

Dita e parë, e diel, 11 tetor 2026

Pritja dhe akomodimi në hotelin Herbert Samuel në Jerusalem

Një grup juristësh të njohur nga Kosova dhe Shqipëria u nisëm nga Aeroporti i Tiranës. Me shqiptarët e tjerë nga Maqedonia e Veriut, bashkë me kolegët e tyre juristë maqedonas, u takuam në mbrëmje në Jerusalem.

Kjo ishte vizita ime e dytë në Izrael. Herën e parë, në pranverën e vitit 2012, pata nderin të vizitoja Gjykatën Supreme të Izraelit dhe kryetaren e saj, Dorit Beinisch. Ajo vizitë kishte përfshirë edhe një takim në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, ku kisha shkuar për të lobuar për njohjen e Kosovës nga Izraeli, i cili në atë kohë hezitonte shumë për një hap të tillë, për shkak të çështjes palestineze dhe shpalljes së shtetësisë palestineze. Për fatin e Kosovës, ndërkohë, Izraeli arriti disa marrëveshje me vendet myslimane në kuadër të të ashtuquajturave Abrahamic Accords dhe, me ndihmën personale të Presidentit Trump, erdhi njohja e Kosovës nga ky shtet me peshë në sigurinë dhe politikën globale.

Vizita ime në Izrael, më 2012, ka qenë vizita e parë zyrtare e një zyrtari të lartë të Kosovës.

Pas vendosjes në hotel, shkuam për darkë aty pranë, në një ambient jashtëzakonisht ekskluziv dhe elegant, jo vetëm sepse ishte i ndërtuar tërësisht nga guri izraelit me ngjyrë bezhë, siç është një pjesë e madhe e Jerusalemit, por edhe për shkak të shërbimit dhe llojit të ushqimit, që ishin tipikisht mesdhetarë. Përzgjedhja e vendit ishte bërë nga nikoqiri ynë, CJI, të cilit gjatë darkës ia shprehëm falënderimet tona më të sinqerta.

Vera që u shërbye ishte nga Kodrat e Judesë (Judean Hills), një rajon që shtrihet përreth Jerusalemit. Klima mesdhetare, lartësia prej 600–900 metrash dhe tokat gëlqerore krijojnë kushte të përshtatshme për prodhimin e verërave cilësore, traditë kjo e ruajtur dhe e kultivuar edhe nga kantina Domaine du Castel. Na u ofrua një verë që mund të krahasohej me verërat cilësore të Francës dhe Italisë.

Dita e dytë, e hënë, 12 tetor 2026

Vizita në Ministrinë e Drejtësisë

Kjo vizitë zgjati deri në drekë dhe kishte për qëllim informimin tonë mbi aspektet juridike dhe të sigurisë në shtetin e Izraelit sot. Elad Vider na mbajti një ligjëratë të detajuar mbi pastrimin e parave dhe përdorimin e tyre për qëllime terroriste, duke na ofruar një pasqyrë jashtëzakonisht të dobishme, e cila mund të shërbejë edhe për vendet e Ballkanit dhe të Evropës ish-komuniste, duke marrë parasysh prirjet politike. Kosova, në veçanti, mund të mësojë nga përvojat izraelite, sepse veriu i saj, por edhe pjesë të tjera të vendit, mbeten të ekspozuara ndaj Serbisë dhe politikave të saj të inkurajimit të terrorizmit dhe të ekonomisë joformale për financimin e tij.

Pas kësaj ligjërate, patëm rastin të njiheshim me një qasje tjetër, të paraqitur nga Tal-Verner Kling, e cila veçoi sfidat juridike me të cilat ndeshet Izraeli gjatë luftimit të terrorizmit, pastrimit të parave dhe ekonomisë joformale në përgjithësi. Ajo që u veçua në këtë ligjëratë ishte ideja se, pavarësisht situatës së konfliktit të thellë të armatosur dhe fizik, shteti i Izraelit duhet të bëjë gjithçka që mundet për të ruajtur parametrat e sundimit të ligjit dhe të sigurisë juridike. Kjo ide duket si një punë sizifiane në një rajon ku është e vështirë të dallohet terroristi nga popullsia civile. Megjithatë, u theksua rëndësia jetike e përballjes me sfidat juridike sipas standardeve të sundimit të ligjit dhe të sigurisë juridike. I gjithë debati u zhvillua duke pasur parasysh sfidat juridike që u krijuan pas aktit makabër terrorist të Hamasit, më 7 tetor 2023.

Vizita në Jerusalem, e shoqëruar nga një guidë, ishte një kënaqësi e veçantë. Moti ishte i bukur dhe guida jonë shpjegonte gjithçka që duhej, duke filluar nga Kisha e Varrit të Shenjtë, Xhamia Al-Aksa, Kupola mbi Shkëmb, lagjja hebraike dhe ajo romake, deri te gjithçka tjetër që lidhet me zhvillimet qytetëruese të botës greko-romake dhe judeo-kristiane.

Vonë pasdite patëm nderin të dëgjonim sërish një analizë të marrëdhënieve ndërkombëtare lidhur me Gazën, të paraqitur nga z. Yoni Eshpar, drejtor i lartë për Evropën dhe Organizatat Ndërkombëtare.

Me këtë e përmbyllëm programin e kësaj dite dhe u përgatitëm për darkën e radhës.

Dita e tretë, e martë, 13 tetor 2026

Vizita në Ministrinë e Jashtme

Deri në pauzën e kafesë, në Ministrinë e Jashtme patëm nderin të dëgjonim fjalën hyrëse të ambasadores Liat Wexelman, shefe e Divizionit Euroaziatik, e cila u pasua nga prezantimi i sfidave aktuale të Izraelit në marrëdhëniet ndërkombëtare, i bërë nga Tamar Kaplan, këshilltare ligjore.

Me rëndësi të madhe për Kosovën ishin edhe ligjëratat dhe diskutimet që pasuan rreth procedurave pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe organeve të tjera, të cilat janë duke u zhvilluar kundër shtetit të Izraelit. Kjo ligjëratë u mbajt nga Shannon Kisch, nga Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare i Ministrisë së Jashtme të Izraelit.

Disa nga pjesëmarrësit shprehën dyshime të bazuara se mund të arrihet deri te një vendim gjyqësor që konstaton përgjegjësinë e shtetit të Izraelit për gjenocid, duke marrë parasysh faktin se, për krimin e gjenocidit, kërkohet një dolus specialis, i cili është vështirë të provohet dhe, në fakt, në kontekstin e konfliktit në Gaza, është tërësisht i pamundur. Si dëshmi për faktin se një gjë e tillë ka pak gjasa të ndodhë, u përmendën rastet e Bosnjë-Hercegovinës dhe të Kroacisë kundër Republikës Federale të Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi). Ka pak gjasa që në rastin kundër Izraelit të përdoret një standard tjetër.

Pasdite, ligjëratat u përqendruan në zbatimin e së drejtës së konflikteve të armatosura në shtetin e Izraelit dhe në vendet përreth. Këtë ligjëratë e mbajti Nina Yaralova, nga Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare (International Law Department). Ajo u pasua nga diskutimi mbi aspektet juridike të luftës kundër Iranit, i udhëhequr nga Shahar Berger, po nga Departamenti i së Drejtës Ndërkombëtare.

Më pas vizituam Gjykatën Supreme të Izraelit, ku zhvilluam një takim me një gjyqtar të kësaj gjykate, të vetmin gjyqtar mysliman në përbërjen e saj. Fjala është për gjyqtarin me origjinë arabe palestineze, Khaled Kabub (Halid Kabub), i cili ka marrë pjesë në shqyrtimin e çështjeve të ndjeshme kushtetuese dhe politike. Para tij, gjyqtari i parë arab që u emërua në mënyrë të përhershme në këtë gjykatë ishte Salim Joubran (1947–2024), arab i krishterë, i cili shërbeu nga viti 2004 deri më 2017.

Pas vizitës në Gjykatën Supreme, u organizua një takim informues me profesoreshën Yifat Bitton, përfaqësuese e Projektit Dinah (The Dinah Project), gjatë të cilit u trajtuan krimet me bazë gjinore të kryera nga Hamasi. Në këtë takim u diskutuan aspektet faktike dhe juridike të këtyre krimeve, si dhe rëndësia e dokumentimit të tyre dhe e përgjegjësisë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

Pas përfundimit të takimit, në orën 19:30, ishte paraparë akomodimi në hotelin Crowne Plaza në Tel Aviv. Më pas, në orën 20:00, programi vazhdonte me një darkë në restorantin Villa Mare, në shoqërinë e Robert Singer, kryetar i CJI-së.

Dita e katërt, e mërkurë, 14 tetor 2026

Vizita në vendet e tragjedisë së 7 tetorit 2023 dhe takimet me përfaqësues të institucioneve ushtarake izraelite

Një ndër ditët më mbresëlënëse dhe emocionalisht më të rënda të vizitës sonë në Izrael ishte ajo që iu kushtua njohjes nga afër me pasojat e sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023. Në orët e mëngjesit u nisëm nga Tel Avivi drejt jugut të Izraelit, në zonën kufitare me Rripin e Gazës, për të vizituar vendet ku kishin ndodhur disa nga tragjeditë më të rënda të asaj dite.

insajderi.org

Të fundit Të gjitha