Nga Arlind Qori-
Për herë të panumërt, Edi Rama m’u drejtua pa e përmendur emrin tim. Në rastin më të lehtë, kjo përbën mungesë edukate. Në rastin më të rëndë, tregon një frikë të thellë se, nëse do ta përmendte emrin tim, skenarët e tij të errët do të ktheheshin në realitet.
Le t’i kushtojmë pak vëmendje çështjes së dhunës. Në jetën time nuk kam ushtruar kurrë dhunë, as nuk kam predikuar dhunën. Idetë e Lëvizjes BASHKË, të cilën e përfaqësoj, burojnë nga historia dhe realiteti i socialdemokracisë më të mirë evropiane. Këto janë ide që, sikur të mos degjeneronte plotësisht, duhet t’i kishte edhe PS-ja.
Gjatë protestës kam dalë edhe fizikisht në mbrojtje të studentëve të mi, të cilët rrezikonin t’u thyheshin jo vetëm këmbët, por edhe koka nga dhuna e shfrenuar e policisë. Po ashtu, më ka lënduar thellë indinjata kur dëgjova rrëfimin e kolegut tim Alfred Bushi, profesor në Universitetin e Tiranës, të cilin e kanë goditur disa herë në komisariatin 4 me duar të prangosura. Por as atëherë nuk kam bërë thirrje për hakmarrje dhe dhunë.
Pikërisht sepse besoj te demokracia dhe te kalimi paqësor i pushtetit, i bëj sërish thirrje Edi Ramës që të dëgjojë popullin, të japë dorëheqjen dhe të mos bëhet pengesë që për herë të parë në historinë tonë të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Burimi: kohajone.com










