A mund të jesh një pedagog që i mëson studentët të mendojnë në mënyrë kritike dhe njëkohësisht një deputet që përdor në Kuvend fyerje, akuza personale dhe një gjuhë që nxit më shumë konflikt sesa debat?
Askush nuk pret që pedagogët të heqin dorë nga bindjet politike dhe nga e drejta për t’i mbrojtur ato. As të mos nënshkruajnë peticione politike. As të mos qëndrojnë në krye të protestave për të kërkuar rrëzimin e një qeverie të ligjshme. As të mos kërkojnë largimin e gjithë klasës së vjetër politike për t’u hapur vendin të rinjve!!!
Roli i pedagogut jashtë auditorit
Megjithatë, pedagogu nuk është thjesht dikush që hyn në auditor, mban leksionin dhe largohet në punë të vet. Studentët e shohin si mendon dhe si u përgjigjet kundërshtimeve kur dikush nuk është dakord me të, jo vetëm gjatë orarit të mësimit, por edhe jashtë auditorit, përmes shembujve që vetë u jep. Edhe kur është deputet, edhe kur ka qenë deputet, edhe kur ka qenë kandidat për deputet. Madje edhe kur flet si politikan që kërkon t’u japë mend të tjerëve.
Patjetër që Kuvendi është vendi ku përplasen bindje dhe interesa të ndryshme. Po çfarë ndodh kur një pedagog, që duhet t’u mësojë studentëve të argumentojnë dhe të respektojnë mendimin ndryshe, shfaqet në Kuvend me një gjuhë fyese dhe sulme personale, shpeshherë nën brez?
Universiteti dhe pjesëmarrja politike
Nuk mendoj se zgjidhja është që pedagogët të mos merren me politikë. Përkundrazi, universiteti duhet të jetë një hapësirë ku pjesëmarrja në jetën publike dhe politike nuk shihet si diçka e papërshtatshme. Por është e vështirë t’u mësosh studentëve të arsyetojnë, të debatojnë dhe të respektojnë kundërshtarin, kur vetë disa prej pedagogëve që merren me politikë bëjnë të kundërtën në jetën publike. Pikërisht ata që kanë edhe përgjegjësinë e formimit të brezave të rinj.
Burimi: www.gazetatema.net










