Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç nga 2027

Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç nga 2027

Parlamenti grek ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën moshën 15 vjeç, i cili do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Masa për mbrojtjen e fëmijëve

Qëllimi i kësaj mase është të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga përdorimi i tepruar i këtyre platformave.

Ligji u miratua pas një debati të gjatë dhe të ashpër, me mbështetjen e shumicës qeverisëse të partisë së djathtë “Demokracia e Re”, të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Deputetët e partisë kryesore opozitare, PASOK, zgjodhën të mos votonin as pro dhe as kundër, duke shprehur dyshime për disa dispozita të ligjit. Partitë e tjera të majta dhe ato nacionaliste votuan kundër tij.

Ministri i Qeverisjes Digjitale dhe Inteligjencës Artificiale, Dimitris Papastergiou, deklaroi se ligji përbën një hap të domosdoshëm në luftën kundër varësisë së fëmijëve nga rrjetet sociale.

Sipas tij, përdorimi i pakontrolluar i këtyre platformave mund të ketë ndikim negativ në shëndetin mendor të fëmijëve, prandaj janë të nevojshme masa konkrete për t’i mbrojtur ata.

Ligji parashikon mekanizma për verifikimin e moshës së përdoruesve, si dhe gjoba të konsiderueshme për platformat që nuk i zbatojnë rregullat.

Ai gjithashtu parashikon zbatimin e propozimeve evropiane për rregullimin e përdorimit të internetit nga fëmijët, të njohura si “Kids Act”.

Në kuadër të këtij ligji do të përdoret edhe aplikacioni i ri “Kids Wallet”, i krijuar posaçërisht për të ndihmuar në verifikimin e moshës.

Ministri Papastergiou theksoi se ky aplikacion nuk është një risi vetëm e Greqisë, por mbështetet në standarde dhe kërkesa teknike të përcaktuara nga institucionet evropiane.

Sipas tij, aplikacioni nuk transmeton të dhëna personale të fëmijëve apo të përdoruesve, por tregon vetëm nëse një person është mbi ose nën 15 vjeç. Ai nuk jep as datëlindjen e përdoruesit.

Ministri argumentoi se qeveria nuk mund të presë derisa të miratohet një ligj i përsosur në nivel evropian, ndërkohë që fëmijët vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj përdorimit të pakontrolluar të internetit.

Vende të tjera me kufizime të ngjashme

Greqia është ndër vendet e para të Bashkimit Evropian që miraton një ligj për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.

Sipas një përmbledhjeje të fundit të agjencisë AFP, më shumë se 20 vende në botë kanë miratuar masa të ngjashme, kryesisht për fëmijët nën 15 ose 16 vjeç.

Australia ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç që nga fundi i vitit 2025.

Edhe Austria, Sllovenia, Danimarka dhe Spanja kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, me qëllim mbrojtjen e të miturve nga algoritmet, të cilat mund t’i nxisin ata të qëndrojnë për periudha të gjata në këto platforma.

Franca miratoi gjithashtu një ligj të ngjashëm në korrik, që parashikonte ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç.

Megjithatë, një muaj më vonë, Këshilli Kushtetues francez e rrëzoi këtë masë, duke vlerësuar se ajo përbënte një kufizim joproporcional të lirisë së shprehjes./atsh/KultPlus.com

Burimi: kultplus.com

Të fundit Të gjitha