Kalo te përmbajtja

Lajm i fundit
Kulturë

Naim Frashëri, poeti kombëtar që nderon me përkujtim të veçantë

Naim Frashëri, poeti kombëtar që nderon me përkujtim të veçantë

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Poeti, historiani, gazetari, përkthyesi dhe figura e rëndësishme e arsimit kombëtar dhe e kulturës, Naim Frashëri, ndërroi jetë më 20 tetor 1900 në Stamboll.

Akademia e Shkencave e përkujtoi sot poetin kombëtar, duke evokuar krijimtarinë e tij të pasur, përmes së cilës Naimi shprehu dashurinë për atdheun, gjuhën shqipe, natyrën, historinë dhe krenarinë kombëtare. Vepra e tij luajti një rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe në zhvillimin e letërsisë shqipe, duke e bërë një nga figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare.

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje mori mësimet e para. Më 1865, familja u shpërngul në Janinë, ku, bashkë me vëllanë më të vogël, Samiun, përfundoi gjimnazin grek “Zosimea”.

Më vonë punoi për disa muaj në Stamboll si nëpunës në zyrën e shtypit, por u prek nga tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për një klimë më të përshtatshme. Pas rikthimit në Shqipëri, punoi si nëpunës në Berat dhe më pas si doganier në Sarandë (1872–1877). Në këtë periudhë shkroi edhe poezitë e para në gjuhën shqipe.

Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, e më pas “Dituria” (1885), ku botoi edhe shumë prej prozave dhe vjershave të tij.

Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku një nga udhëheqësit ishte Abdyl Frashëri, vëllai i tij më i madh si dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Sami Frashëri, Naimi iu përkushtua tërësisht letërsisë dhe çështjes kombëtare shqiptare. Krijimtaria e Naim Frashërit përfshin vepra poetike, tekste shkollore, përkthime dhe botime me karakter historik e edukativ. Ndër veprat e tij janë Ëndërrimet (Tahayyulat), botuar në Kostandinopojë; Bagëti e bujqësija, botuar në Bukuresht më 1886; dhe Luletë e verësë, botuar në Bukuresht më 1890.

Në fushën e arsimit, Naimi dha një kontribut të rëndësishëm përmes teksteve mësimore, ndër të cilat përfshihen “E këndimit çunavet këndonjëtoreja”, pjesa e parë dhe pjesa e dytë; “Istori e përgjithëshme për mësonjëtoret të para”, si dhe “Vjersha për mësonjëtoret të para”, të botuara në Bukuresht më 1886. Në të njëjtin vit u botua edhe vepra “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”. /j.p/

Burimi: ata.gov.al

Të fundit Të gjitha