Piktori Agron Shahinas ka hapur në Korçë ekspozitën e tij personale me titull “Korça e kohës sime”. Përmes stilit të tij dhe ngjyrave të forta, piktori i ka prezantuar publikut 42 piktura që përbëhen kryesisht nga pamje të Korçës, objekte dhe ndërtesa të ndryshme, të cilat, siç thotë vetë Shahinas, i ka pëlqyer dhe ka pasur ëndërr t’i sjellë në pikturë.
Agron Shahinas dhe ekspozita “Korça e kohës sime”
“Korça e kohës sime është edhe Korça e kohës tuaj. Është një titull simbolik, artistik. Gjatë kohës që isha jashtë orarit të punës, punoja me këtë qëllim që të bëja Korçën. Ato ndërtesa që i kam patur si i vogël ëndërr që i shikoja me dashuri të madhe, pse mos i bëja pikturë.
Dhe kështu filloi pak nga pak dhe sot vij në këtë ekspozitë me 42 punë që janë të Korçës, në format pak a shumë të madh, kam dhe më të vogla, me ngjyra të fuqishme të forta. Pastaj ndikon dhe tekstili se unë kam mbaruar për tekstil dhe ndikon ajo ngjyra e fortë e tekstilit, e veshjeve”, u shpreh piktori Agron Shahinas.
Përmes ngjyrave, formave dhe kujtimeve të hedhura në telajo, artisti na fton të zbulojmë Korçën e përjetuar përmes syve dhe ndjesive të tij, duke sjellë një dialog mes qytetit, kujtesës dhe artit. Në çeljen e kësaj ekspozite, e cila do të qëndrojë për rreth 1 javë e hapur për publikun, morën pjesë autoritete vendore, miq, kolegë e dashamirës të artit.
/RTSH/
Burimi: rtsh.al










