Aktori britanik Callum Turner është ndër emrat kryesorë që po konsiderohen për rolin e agjentit të njohur James Bond. Të premten ai u paraqit për një provë filmike përpara producentëve në Berkshire të Anglisë.
Callum Turner dhe kandidatët e tjerë
Turner, 36 vjeç, i njohur për rolet në filmat “Fantastic Beasts” dhe “Emma”, është partneri i këngëtares shqiptare Dua Lipa. Ai është një nga katër aktorët që kanë arritur në fazën përfundimtare të përzgjedhjes për të zëvendësuar Daniel Craigun në rolin e agjentit 007, sipas raportimeve të “Daily Mail”.
Në garë për këtë rol ikonik janë edhe aktorët britanikë Jack Lowden dhe Josh O’Connor, si dhe aktori australian Jacob Elordi. Provat filmike pritet të vijojnë gjatë fundjavës, ndërsa zgjedhja e aktorit që do të marrë rolin e ri të Bondit vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në industrinë e filmit.
Afatet dhe regjisori i filmit të ri
Sipas producentes Amy Pascal, vendimi për aktorin e ri mund të merret deri në fund të këtij viti. Ndërkohë, filmi i ardhshëm i serisë James Bond pritet të realizohet nën regjinë e Denis Villeneuve, me xhirimet që mund të nisin gjatë vitit 2027.
Përzgjedhja e pasardhësit të Daniel Craigut, i cili e interpretoi agjentin britanik në pesë filma, pritet të përcaktojë kapitullin e ri të një prej serive më të njohura në historinë e kinemasë./KultPlus.com
Burimi: kultplus.com










