Prokuroria e Tiranës po grumbullon prova për të sqaruar ngjarjet që ndodhën gjatë protestës, ndërsa Report Tv mëson ekskluzivisht se një letërporosi i është dërguar Italisë për rastin e 28-vjeçarit Erjon Vishulli, i cili mbeti i plagosur në sy.
Hetimet dhe grupi i prokurorëve
Hetimet po zhvillohen nga një grup prokurorësh, i drejtuar nga Ndini Tavani. Prokuroria po shqyrton pamjet nga kamerat e policisë, mediat dhe kamerat e sigurisë, ndërsa po merren në pyetje edhe personat që mbetën të dëmtuar gjatë protestës.
Një nga rastet në hetim është ai i 28-vjeçarit Erjon Vishulli, i cili u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë me makinën e Report Tv.
Letërporosia drejt Italisë dhe verifikimet
Report Tv mëson se Prokuroria i ka dërguar një letërporosi Italisë, ku i riu pritet t’i nënshtrohet ndërhyrjes së dytë kirurgjikale. Pas heqjes nga syri, trupi i huaj do të sekuestrohet dhe do të ekzaminohet për të përcaktuar materialin e tij.
Në kuadër të hetimeve po verifikohen edhe rastet e dyshuara të tejkalimit të forcës nga efektivët e policisë, disa prej të cilëve janë pezulluar. Për këto raste, Prokuroria ka regjistruar hetim kryesisht, ndërsa ka marrë edhe referime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Ndërkohë, për rastet e dhunës ndaj punonjësve të policisë është regjistruar një çështje tjetër, ku personat e arrestuar janë me masa sigurie.
Burimi: shqiptarja.com










