Nga Ylli Pata
Në mesin e një konflikti urban që zgjati dy javë në Shqipëri, ka filluar të shfaqet në rrjetet sociale një algoritëm që ofron për shitje pajisje luftarake.
Në këto rrjete paraqiten modele të ndryshme të maskave që përdorin anëtarët e grupeve të zjarrit, duke treguar çmimet dhe mënyrat se si mund të dërgohen në adresat e blerësit.
Pajisjet që shiten në rrjetet sociale
Përveç maskave, në algoritmet e rrjeteve janë shfaqur edhe syze kundër gazit, për të cilat bëhet reklamë e fortë, duke i paraqitur si të papërshkueshme.
Vlen të theksohet se bëhet fjalë për materiale që nuk lejohen ose nuk qarkullojnë normalisht në tregtinë e mjeteve të punës. Këto nuk mungojnë plotësisht, pasi ekzistojnë disa struktura tregtare që i shesin sipas manualit në mjetet e punës.
Megjithatë, shitja dhe prezantimi në algoritmin e rrjeteve sociale pikërisht këto ditë tregon për një zhvillim jo të vogël, i cili dukshëm nuk nxitet nga Shqipëria, por nga vende të tjera që nxisin shitjen e këtyre materialeve që shërbejnë për protesta të dhunshme.
Siç dihet, algoritmet e operacioneve të tilla tregtare apo propagandistike, në këtë rast diversive, nuk shtyhen lehtë me metoda tregtare, por me makinacione të përqendruara nga qendra të mëdha të luftës hibride.
Manuali i gjetur në Milano dhe ngjashmëria me Tiranën
Pak ditë më parë u bë publik një manual i guerilasve antifa në Itali, i cili ishte i njëjtë me atë që kanë përdorur edhe guerilasit në Shqipëri. Gazetari i njohur italian David Parenzo ka publikuar faksimilet e planit që u gjet në gueriljen e ndodhur në Milano, i cili, parë në detaje, është e njëjta taktikë e përdorur nga të gjitha protestat vandale të kryera në kryeqytetet europiane.
Manuali është një doracak i thjeshtuar, i punuar për njerëz që dinë pak dhe kuptojnë gjithashtu. Detyra të përcaktuara, taktikë e thjeshtë, por mbi të gjitha masa mbrojtëse ndaj sulmeve të policisë.
Të cilat i kemi parë në Tiranë shumë qartë. Nëse lexon pikat e manualit, kupton që kemi të bëjmë me një organizim perfekt, me veshje të përcaktuara, me kit mjetesh të siguruara dhe me një mënyrë lëvizjesh krejt precize.
Janë 3 faqe A4 që përmbajnë gjithçka duhet për të kuptuar të rinjtë që do përfshihen në këtë guerilje, së bashku edhe me skemën se ku duhet të lëvizin e çfarë duhet të kryejnë.
Parë në detaje, është një doracak i vërtetë lufte, një manual taktik i veprimeve në një guerilje urbane, ku bëhet e ditur edhe harta e veprimit, mënyra e operimit dhe largimit.
Natyrisht ky manual është për Antifa-n në Milano, por parë në detaje me atë që ndodhi në Tiranë, gjërat ngjajnë si dy pika uji.
Këtë material e ka siguruar policia italiane dhe organet inteligjente të atij vendi. Ka shumë gjasa që ky doracak të ekzistojë edhe në gjuhën shqipe, por deri tani organet shqiptare të sigurisë duket se nuk e kanë arritur ta kenë.
Ndërkaq, në Itali të gjithë dhunuesit janë brenda në burg, ndërsa në Shqipëri janë jashtë, madje liderët e opozitës po i mbrojnë një nga një, duke i quajtur edhe personazhe me certifikata sigurie. Megjithatë është interesante që të lexohet manuali për ta krahasuar me ushtrinë e vandalëve që dogjën Tiranën.
Burimi: www.gazetatema.net










