Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur aktakuzë kundër J.P. dhe një personi juridik, të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Aktakuza dhe dokumentacioni i dyshuar i rremë
Sipas aktakuzës, më 19 janar 2024, i pandehuri J.P., në rolin e drejtorit dhe personit përgjegjës të kompanisë “M… P..” SH.P.K., duke vepruar në emër dhe në interes të kësaj shoqërie, gjatë dorëzimit të ofertës në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizim me material shpenzues medicinal nga LE (Lista Esenciale)”, të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, dyshohet se ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar.
Në këtë aktivitet prokurimi, grupi i operatorëve ekonomikë kishte dorëzuar oferta për Lotin 1, me vlerë 344.955.77 euro, dhe për Lotin 3, me vlerë 169.012.36 euro.
Siç thuhet në aktakuzë, në dokumentacionin e ofertës ishte përfshirë certifikata ISO 13485:20216, me numër 47014, e lëshuar nga autoriteti certifikues “NQA” për prodhuesin “Forlong Medical Co., Ltd” nga Kina. Certifikata ishte paraqitur si provë për përmbushjen e kërkesës nr. 2 të dosjes së tenderit, e cila lidhet me kapacitetet teknike dhe profesionale.
Megjithatë, sipas aktakuzës, certifikata në fjalë kishte skaduar dhe ishte anuluar në tetor të vitit 2022. Po ashtu dyshohet se afati i vlefshmërisë në dokumentin e paraqitur ishte ndryshuar nga data 18.10.2022 në datën 18.10.2024.
Propozimi i prokurorisë për dënim
Sipas Prokurorisë, përmes paraqitjes së këtij dokumenti, dyshohet se i pandehuri J.P. ka shkelur me dashje rregullat e prokurimit publik në lidhje me dokumentacionin që dëshmon përmbushjen e kritereve të tenderit. Sipas aktakuzës, qëllimi i dyshuar ishte vënia në lajthitje e autoritetit kontraktues për përmbushjen e kërkesave të tenderit dhe ndikimi në vlerësimin e ofertës për vendimmarrjen mbi dhënien e kontratës, në interes të personit juridik “M…..P….” SH.P.K.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale që u vihet në barrë, si dhe t’u shqiptohet ndalimi i pjesëmarrjes në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik.
Burimi: www.gazetaexpress.com










